qer262019
Pamjaftueshmëria kardiake. Karakteristikat kulturore mund të ndikojnë në rrezikun e vdekjes
Pamjaftueshmëria kardiake është diagnoza kryesore e mbi 80,000 hospitalizimeve në Britaninë e Madhe, më shumë se 200,000 në Japoni dhe 1 milion në Shtetet e Bashkuara. "Shifrat sugjerojnë se kulturat e ndryshme mund të luajnë një rol në shkallën e vdekshmërisë për shkak të pamjaftueshmërisë kardiake në botë", thotë Toshiyuki Nagai (Departamenti i Mjekësisë Kardiovaskulare në Universitetin e Hokkaidos në Japoni), autori i parë i një studimi të botuar në "Open Heart". Në studim janë krahasuar 894 vdekje nga pamjaftueshmëria kardiake në spitalet britanike, me 3,781 vdekje që kanë ndodhur në spitalet japoneze.
Rezultatet e arritura tregojnë se pesë faktorët e rrezikut më ngushtësisht të lidhur me rrezikun e vdekjes ishin presioni sistolik i gjakut dhe nivelet hematike të natriumit, uresë dhe kreatininës. "Krahasimi i mëpasshëm i normave të vdekshmërisë në spital me ato të vërejtura 1,3 dhe 6 muaj pas shtrimit tregon se ndonëse pacientët anglezë dhe japonezë kishin mosha të mbivendosura, rastet britanike jo vetëm që vuanin nga dështimi më i rëndë i zemrës, por kishin gjithashtu një frekuencë më të lartë të kardiopatisë ishemike dhe sëmundjeve pulmonare obstruktive kronike siç është COPD", shkruajnë autorët, duke shtuar se pacientët në Mbretërinë e Bashkuar kishin një rrezik më të lartë për vdekje sesa japonezët.
"Pjesa më e madhe e ndryshimit mund të ndodhë për shkak të faktit që pacientët anglezë ishin në kushte më të këqija klinike në kohën e shtrimit, pasi kriteret për pranimin në spital në Britani duket se janë më të ngushta se ato në Japoni", vëren studiuesi. Por edhe duke marrë parasysh këto dallime, mundësitë për të vdekur gjashtë muaj pas pranimit, ishin më shumë se dyfish te britanikët, në krahasim me japonezët. "Ky studim vëzhgues nuk mund të përcaktojë pse pacientët britanikë janë më keq se japonezët, megjithëse mund të supozohet se dallimet në cilësinë e kujdesit pas daljes nga spitali, qëndrimet ndaj këshillave mjekësore, aderimi në terapi, stili i jetës, dieta dhe gjenetika luajnë një rol në këtë aspekt", shpjegon Nagai. "Dallimet prognostike midis vendeve, kulturave dhe shërbimeve shëndetësore mund të japin ide për të përmirësuar si politikat e kujdesit shëndetësor, ashtu edhe ato mjekësore".
Open Heart. 2018. doi: 10.1136/openhrt-2018-000811
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30228905