tet12018
Në cilat raste, peptidi natriuretik B është parashikues i vdekshmërisë?
Nivelet e larta të peptidit natriuretik të tipit B (BNP) janë një parashikues i lartë i vdekshmërisë te pacientët me dhe pa pamjaftueshmëri kardiake, me një rrezik të ngjashëm në të dyja popullsitë. Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në "Journal of American College of Cardiology", me autore kryesore Michelle York (Klinika e Kërkimeve Kardiovaskulare në Nashvill).
"Përqendrimi i BNP-së është një shënjues prognostik për shtrimet e përsëritura dhe vdekjen, te pacientët me pamjaftueshmëri kardiake, por mungojnë informacione me domethënien prognostike të niveleve të BNP-së te subjektet pa pamjaftueshmëri", shkruajnë kërkuesit, që kanë vlerësuar rrezikun e vdekjes për të gjitha shkaqet, në bazë të niveleve të BNP-së dhe në prani ose jo të pamjaftueshmërisë kardiake. Analiza retrospektive e kryer ka përfshirë 2.5 milionë kartela klinike të lidhura me pacientë që janë ndjekur nga qendra mjekësore e Universitetit të Vanderbiltit gjatë 20 viteve.
Në vend të parë janë zbuluar vlerat plazmatike të BNP-së dhe më tej, është përllogaritur rreziku i vdekjes në bazë të këtyre niveleve te pacientët me dhe pa pamjaftueshmëri, ndërsa periudha e monitorimit është përcaktuar si koha e përshkuar nga data e matjes së BNP-së e deri te data e vdekjes.
"Gjatë ndjekjes së 90.000 vetëve/vit, BNP-ja e rritur ka rezultuar se është faktori më i rëndësishëm parashikues i vdekshmërisë te pacientët pa pamjaftueshmëri kardiake dhe parashikuesi i dytë më i fortë (pas moshës) tek ata me pamjaftueshmëri kardiake", thotë autorja, duke shtuar se rreziku i vdekjes me çfarëdolloj vlere të BNP-së ishte i njëjtë në praninë ose jo të pamjaftueshmërisë.
"Për ta thënë me shifra, për nivelet e BNP-së të barabarta me 400 pg/ml, vdekshmëria për 3 vjet ishte 21 % te subjektet me pamjaftueshmëri kardiake dhe 19%, tek ata pa pamjaftueshmëri", përfundon York-u.
Në një koment të tijin, Daniel Logeart (Shërbimi i Kardiologjisë në Spitalin "Lariboisière", në Paris), shkruan: "Studimi konfirmon forcën parashikuese të BNP-së, duke ngritur pyetje të rëndësishme mbi atë çka duhet të bëjmë me subjektet me nivele të larta të BNP-së, në mungesë të pamjaftueshmërisë kardiake të deklaruar, përfshi ata me kardiopati josimptomatike".
J Am Coll Cardiol. 2018. doi: 10.1016/j.jacc.2018.02.071
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29747827
JAm Coll Cardiol. 2018. doi: 10.1016/j.jacc.2018.03.454
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29747828