Focus

sht162019

MS4A4A, proteina e aftë për të kontrolluar përhapjen e tumoreve

Në një studim italian të botuar në "Nature Immunology", drejtuar dhe koordinuar nga Humanitas dhe Universiteti Shtetëror i Milanos, i mbështetur nga AIRC, falë programit 5x1000, ka dalë roli qendror i proteinës MS4A4A në aktivizimin e një përgjigjeje imunitare mbrojtëse kundër përhapjes metastatike të neoplazmave. Molekula, e zbuluar në qelizat e sistemit imunitar (makrofagët), është e lidhur me receptorin Dectin-1 dhe kontrollon funksionin e tij. Por jo vetëm: MS4A4A është gjithashtu thelbësore në aktivizimin e një dialogu midis makrofagëve (qelizave primitive të sistemit imunitar që kanë domethënie prognostike te tumoret) dhe qelizave Natural Killer, të afta për të vrarë qelizat e kancerit.

"Ne e zbuluam 10 vjet më parë gjenin përgjegjës për MS4A4A, te makrofagët e lidhur me tumorin, por roli i proteinës së koduar prej saj, është sqaruar kohët e fundit", shpjegon Massimo Locati, profesor i imunologjisë në Universitetin e Milanos dhe drejtues i Laboratorit të Biologjisë së Leukociteve në Humanitas, bashkëautor i studimit, së bashku me Alberto Mantovanin, drejtor shkencor i Humanitas dhe profesor i Universitetit Humanitas.
Te tumoret primitive që nuk janë metastazuar akoma, makrofagët njohin qelizën e kancerit dhe u japin qelizave Natural Killer, sinjalin për ta vrarë. MS4A4A është thelbësore në mënyrë që makrofagët të aktivizojnë këtë përgjigje, duke parandaluar formimin e metastazave. Për këtë funksion, MS4A4A është kandidat për të qenë biomarkues i makrofagëve brenda tumoreve, një konstatim i rëndësishëm, duke marrë parasysh që rëndësia prognostike e pranisë së makrofagëve në tumore është njohur kohët e fundit. MS4A4A i përket një familjeje proteinash e cila gjithashtu përfshin CD20, një objektiv molekular i përshtatshëm për zhvillimin e terapive imunomoduluese.

Prandaj, ky zbulim hap mundësi të reja terapeutike bazuar në përdorimin e MS4A4A si një objektiv të mundshëm për qasje novatore të imunoterapisë, në dobi të një numri në rritje të pacientëve me kancer. Studimi ka përfshirë 12 institucione, mes të cilëve edhe Institutin e Kërkimeve "William Harvey" dhe Universitetin "Queen Mary" të Londrës dhe u krye edhe nga Irene Mattiola (Departamenti i Bioteknologjive Mjekësore në Universitetin Shtetëror të Milanos).


Nat Immunol. 2019. doi: 10.1038/s41590-019-0417-y
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31263276


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>