nën252019
Kanceri kolorektal. Kolegji Amerikan i Mjekëve publikon udhëzimet e skrinimit. Ja, të rejat...
Sipas udhëzimeve të Kolegjit Amerikan të Mjekëve (ACP), të cilat sapo janë publikuar në "Annals of Internal Medicine", duhet t'i nënshtrohen skrinimit për karcinomën kolorektale (CRC), të rriturit josimptomatikë me rrezik mesatar, të grupmoshës 50-75 vjeçare. Sipas dokumentit, frekuenca e skrinimit varet nga strategjia e ndjekur: (1) testi imunokimik fekal (FIT) apo testi i gjakut okult fekal me bazë guaiaku me ndjeshmëri të lartë (gFOBT) çdo dy vjet; (2) kolonoskopi çdo 10 vjet; (3) Sigmoidoskopi fleksibile çdo 10 vjet plus FIT, çdo dy vjet.
"Skrinimi për CRC-në, aktualisht përdoret shumë pak dhe për këtë, mjekët duhet të ndjekin një vlerësim të personalizuar të rrezikut për CRC te të gjithë pacientët e tyre të rritur. Me fjalë të tjera, mjekët dhe pacientët duhet të zgjedhin testin më të përshtatshëm të skrinimit, në bazë të përfitimeve, dëmeve, kostove, disponueshmërisë, frekuencës dhe preferencave", shpjegon presidenti i ACP-së Robert M. McLean, duke saktësuar se sugjerimet e ACP-së vlejnë për të rriturit me rrezik mesatar për CRC që nuk paraqesin simptoma, ndërkohë që nuk aplikohen mbi subjektet me historik familjar të CRC-së ose sindroma gjenetike, si polipet kanceroze familjare, me anamnezë personale të sëmundjes inflamatore intestinale afatgjatë, me CRC paraprirëse, me polipe beninje apo me faktorë të tjerë rreziku.
"Ndonëse mosha mesatare për diagnozën e karcinomës kolorektale është 67 vjeç dhe ata që janë me moshë 65-75 vjeç kanë më shumë përfitime nga skrinimi, edhe diagnostikimi i parakohshëm i zhvilluar te të rriturit me moshë 50-75 vjeç është pa diskutim i nevojshëm", përfundon McLean. Në një editorial komentues, Michael Pignone (Universiteti i Teksasit), shkruan: "Organizata të ndryshme ofrojnë udhëzime skrinimi të CRC-së që nganjëherë ndryshojnë mes tyre. Në rastin e ACP-së, indikacionet bazohen në studime të kontrolluara me përzgjedhje rastësore, që dokumentojnë një reduktim të vdekshmërisë së lidhur drejtpërdrejt me skrinimin".
"Në redaktimin e këtyre udhëzimeve, ekspertët e ACP-së kanë rishikuar udhëzimet e Kolegjit Amerikan të Radiologjisë, task forcës kanadeze për asistencën shëndetësore parandaluese, task forcës amerikane për shërbimet parandaluese, Shoqatës Amerikane të Kancerit, Rrjetit Skocez Ndëruniversitar të udhëzimeve dhe task forcës amerikane mbi kancerin kolorektal".
Ann Intern Med. 2019. Doi: 10.7326/M19-0642
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31683290
Ann Intern Med. 2019. doi: 10.7326/M19-2892
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31683292