jan312020
Analizë e re për identifikimin e kancerit të prostatës. Ja, si funksionon
Një test i urinës mund të diagnostikojë kancerin agresiv të prostatës dhe të parashikojë nëse pacientët do të kenë nevojë për trajtim në 5 vitet e ardhshme. Falë testit PUR (Prostate Urine Risk), të zhvilluar nga hulumtuesit e Universitetit të Anglisë Lindore (UEA) dhe të Spitalit Universitar "Norfolk and Norwich" në Angli, mund të identifikohen edhe ata me probabilitet më të ulët për trajtim, duke shmangur ekzaminimet invazive te pacientët me risk të ulët.
"Kanceri i prostatës zhvillohet ngadalë dhe nuk është shkaku i vdekjes për shumicën e burrave të prekur, por për fat të keq, aktualisht, nuk kemi mundësi të themi se te cilët prej tyre do të nevojitet trajtim radikal dhe te cilët jo", shpjegon Shea Connell, UEA. Shpesh, shqyrtimet aktuale nuk janë të mjaftueshme, mjafton të mendosh se deri në 75% e meshkujve janë negativë ndaj kancerit, pavarësisht nivelit të lartë të antigjenit prostatik specifik (PSA) në gjak, një nga ekzaminimet që kryhen për të shqyrtuar së bashku me MRI-në, biopsinë dhe eksplorimin rektal dixhital.
Përkundrazi, 15% e atyre me vlerë normale PSA-je kanë kancer, në disa raste (15%) të llojit agresiv. Rrjedhimisht, është krijuar një "politikë mbikëqyrjeje" që kërkon ekzaminime të vazhdueshme dhe invazive, por të cilat nuk i ndjek rreth 50% e meshkujve. "Ky test ka potencialin për të përmirësuar vendimmarrjen klinike, duke ndihmuar në identifikimin e individëve pa kancer, atyre me sëmundje, por me rrezik të ulët dhe atyre që duhen trajtuar", shpjegon Robert Mills. PUR-i u zhvillua duke u nisur nga ekzaminimi i shprehjes së 167 gjeneve në mostrat e urinës së 537 burrave.
Studiuesit kanë gjetur një kombinim matematik prej 35 gjenesh të ndryshme që mund të përdoren për të llogaritur rrezikun. Testi ofron një vlerësim të njëkohshëm të indeve jo kanceroze dhe grupeve të rrezikut (të ulët, të ndërmjetëm e të lartë) dhe tregon se sa agresiv është kanceri. Për këtë arsye, testi mund të përdoret jo vetëm për diagnostikimin e kancerit pa procedura invazive, por edhe për të identifikuar rrezikun e pacientëve, duke arritur të parashikojnë nëse ata që vuajnë prej tij ose që janë nën mbikëqyrje aktive, kërkojnë trajtim. "PUR-i ka potencial të madh për të transformuar diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të prostatës", përfundon Mark Buzza nga Fondacioni Movember, i cili ka financuar studimin.
BJU Int. 2019 May 20. doi: 10.1111/bju.14811.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31106513