maj252020
Sëmundja respiratore Covid-19 shtrihet përtej mushkërive
Sipas një studimi të ri të botuar në "Journal of Physiology", dëmtimi i mushkërive i shkaktuar nga Sars-CoV-2 nuk kufizohet në mushkëri dhe për këtë arsye, trajtimet që synojnë atë pjesë të trurit që kontrollon frymëmarrjen dhe fluksin e gjakut, mund të jenë të dobishme për pacientët dhe të përshpejtojnë shkëputjen nga ventilatorët mekanikë. "Kur ndodhin infeksione të frymëmarrjes si Covid-19, aktivizimi i sistemit imunitar është pjesë e një reagimi normal dhe të shëndetshëm. Sidoqoftë, në disa raste, përgjigjja inflamatore është aq e fuqishme sa çon në dëmtim të mëtejshëm akut të mushkërive (ALI), që në formën e tij më të rëndë njihet si sindroma e distresit respirator akut (ARDS)", shpjegon Yee-Hsee Hsieh (Universiteti i Klivlandit), autori kryesor i studimit.
Studiuesit ekzaminuan disa minj me lezione të mushkërive dhe vëzhguan se modeli respirator patologjik mbeti, edhe kur mushkëritë ishin hequr. Për më tepër, ka qenë e dukshme prania e inflamacionit në pjesën e trurit që gjeneron modelin respirator. E gjitha kjo tregoi se mushkëritë nuk janë i vetmi faktor i përfshirë në çrregullimet e frymëmarrjes me origjinë infektive. Ekspertët ekzaminuan më tej se çfarë ndodhi te brejtësit e vetëdijshëm me dëmtim të mushkërive, pas futjes së barnave antiinflamatore josteroidale në sistemin nervor qendror dhe vëzhguan se ky trajtim është i aftë të reduktojë inflamacionin nervor dhe të minimizojë efektet e lezioneve pulmonare. Sipas autorëve, këto rezultate sugjerojnë që qarqet e trurit luajnë një rol në patofiziologjinë dhe rikuperimin e mundshëm të sistemit respirator, pas dëmtimit të mushkërive dhe ARDS-it.
"Trajtimi klinik për sëmundjet respiratore përqendrohet në mënyrë tipike në miratimin e protokolleve ventiluese që i mbrojnë mushkëritë nga dëmtimet e mëtejshme dhe hulumtimi aktual përqendrohet në riparimin dhe restaurimin e indeve të mushkërive dhe të funksionit pulmonar. Studimi ynë sugjeron që ne gjithashtu duhet të merremi me rolin e sistemit nervor qendror dhe të inflamacionit nervor, për një trajtim më të mirë dhe më të plotë të lezioneve pulmonare akute dhe kjo ka shumë të ngjarë të jetë me vend edhe për sëmundje të tilla si Covid-19", përfundojnë studiuesit.
J Physiology 2020. Doi: 10.1113/JP279177
https://doi.org/10.1113/JP279177