Focus

qer292020

Terapia sonodinamike dhe glioblastoma. Një qasje e re e cila duket premtuese

Ultratingujt e përqendruar të përdorur së bashku me një medikament në mënyrë inovative po tregojnë rezultate premtuese kundër glioblastomës, tumorit më vdekjeprurës të trurit dhe mund të rezultojnë të dobishëm kundër tumoreve të tjera të vështira për t'u trajtuar, sipas një studimi të botuar në "Journal of Neuro-Oncology".
"Terapia sonodinamike me ultratinguj të përqendruar ofron një qasje të re terapeutike në trajtimin e pacientëve me tumore malinje të trurit. Kjo qasje kombinon dy opsione të aprovuara, barin 5-Ala dhe ultratingujt e përqendruar, për të prodhuar një efekt të fuqishëm tumoroid në lloje të ndryshme të glioblastomës", shpjegon Jason Sheehan (Universiteti i Virxhinias), bashkautor i studimit.

Teknika godet qelizat kancerogjene me medikamentin, i cili i sensibilizon ato në valë zanore dhe pastaj i sulmon me ultratinguj të përqendruar. Valët zanore krijojnë flluska të vogla brenda qelizave tumorale, duke i bërë ato të vdesin. Hulumtimi është në fazat e tij të hershme dhe studiuesit e kanë testuar konceptin mbi mostrat e minjve dhe mbi qelizat njerëzore në laborator. Kështu, duke i përdorur dy elementet veç e veç, medikamenti uli numrin e qelizave tumorale të gjalla me 5%, ndërsa ultratingujt e përqendruar i ulën ato me 16%. Megjithatë kur u përdorën së bashku, rënia ishte 47%.

Shumë aplikime të ultratingujve të përqendruar bazohen në aftësinë e kësaj teknologjie për të krijuar pika të vogla nxehtësie brenda trupit për të djegur qelizat e dëmshme, ose për të dëmtuar pak qelizat, në mënyrë që të provokojnë një përgjigje imune. Qasja e Sheehanit është e ndryshme sepse i shkatërron qelizat tumorale pa gjeneruar nxehtësi. Për të provuar teknikën e re, ekspertët duhej të krijonin pajisje të personalizuara dhe ata e bënë këtë duke përdorur një printer dhe softuer 3D në Fondacionin e Ultratingujve të Përqendruar në Sinsinati. Sheehani po punon gjithashtu në një studim klinik mbi glioblastomën te njerëzit. Ky studim përdor një qasje të ndryshme me ultratinguj të përqendruar dhe do të vlerësojë potencialin e teknologjisë për të hapur shkurtimisht barrierën mbrojtëse të trurit, në mënyrë që mjekët të mund të japin për tumorin trajtime që normalisht nuk mund të depërtonin.


J Neuro-Oncol 2020. Doi: 10.1007/s11060-020-03504-w
https://doi.org/10.1007/s11060-020-03504-w


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>