kor312020
Covid-19. Ekzistojnë manifestime dermatologjike të lidhura me sëmundjen. Ja, se cilat
Sipas një letre hulumtuese të botuar në "Jama Dermatology", prania e lezioneve petekiale orale në një numër të vogël pacientësh Covid-19 me erupsion kutan përforcon provat e ekzistencës së manifestimeve dermatologjike të lidhura me sëmundjen. "Dihet që në shumë infeksione virale ekziston prania e një ekzanteme. Ne kemi pyetur veten nëse Sars-CoV-2 mund të prodhojë gjithashtu një enantemë, përveç erupsioneve kutane të vëzhguara tashmë", shpjegon Juan Jiménez-Cauhe (Spitali Universitar Ramon y Cajal i Madridit) autori kryesor i punimit.
Studiuesit ekzaminuan në një spital të kujdesit terciar, kavitetin oral të 21 pacientëve Covid-19 të cilët kishin edhe një erupsion kutan, duke kërkuar praninë e një enanteme të katër llojeve të ndryshme, përkatësisht petekiale, makulare, makulare me petekie ose eritemato-vezikular. Ekspertët vëzhguan se gjashtë nga pacientët, 40-69 vjeç, 4 prej të cilëve ishin gra, kishin lezione orale, të gjitha të pozicionuara në qiellzë. Në detaje, te një pacient enantema ishte makulare, në dy ishte petekiale dhe në tre ishte makulare me petekie. Në këtë studim të veçantë, studiuesit nuk vunë re lezione vezikulare. Mesatarisht, lezionet shfaqeshin rreth 12 ditë pas paraqitjes së simptomave Covid-19. Autorët theksojnë se kjo vonesë ishte më e shkurtër te pacientët me enantema petekiale, krahasuar me ata me lezione makulare me petekie dhe se kjo kohë më e shkurtër mund të sugjeronte një lidhje me Sars-CoV-2.
"Lezionet petekiale në qiellzë mund të shkaktohen edhe nga një kollë e fortë, por ne e konsiderojmë të pamundur, pasi ato u shfaqën pranë simptomave Covid-19. Gjithashtu, nuk ka të ngjarë që lëndimet t'i ketë shkaktuar një medikament, pasi shpërthimet e shkaktuara nga barnat mund të zgjasin deri në dy ose tre javë", thonë ekspertët. Lidhja e raportuar do të duhet të vlerësohet dhe të konfirmohet në studime më të mëdha.
Jama Dermatol. 2020. Doi: 10.1001/jamadermatol.2020.2550
https://doi.org/10.1001/jamadermatol.2020.2550