sht162020
Gjinekomastia, një trend shqetësues që po rritet vazhdimisht. Studimi 20-vjeçar danez
Gjinekomastia, ose proliferimi i indit të gjëndrës mamare te meshkujt, është një gjendje e shpeshtë, por pak e studiuar. Të dhënat e disponueshme të prevalencës bazohen në popullatat e zgjedhura të pacientëve ose te rastet e autopsisë, me gabueshmërinë e tyre të qenësishme. Me qëllim vlerësimin e incidencës së lidhur me moshën dhe prirjes afatgjatë të gjinekomastisë në popullatën e përgjithshme, sapo është botuar një studim vëzhgues 20-vjeçar duke përdorur të dhëna nga regjistri kombëtar danez.
Në studim ishin përfshirë të gjitha subjektet meshkuj danezë me diagnozë fillestare të gjinekomastisë. Në veçanti, shpjegojnë autorët, të koordinuar nga Anders Juul, drejtor i Departamentit të Rritjes dhe Riprodhimit në Rigshospitalet në Kopenhagen, "janë identifikuar të gjithë meshkujt danezë (të moshës nga 0 deri në 80 vjeç) me diagnozë të gjinekomastisë të raportuar në Regjistrin Kombëtar Danez në periudhën 1998-2017, duke përdorur Icd-10 (International Codes of Diseases) dhe sistemin danez të klasifikimit të kujdesit shëndetësor".
Studiuesit më pas vlerësuan normat e incidencës sipas grupmoshave. Në një numër të përgjithshëm prej 17,601 meshkujsh (0-80 vjeç) me diagnozë rastësore të gjinekomastisë gjatë periudhës së studimit 20-vjeçar, pati 880 raste të reja në vit dhe incidencë mesatare 3,4 për 10,000 burra (0-80 vjeç), në 20 vjet. Incidenca mesatare vjetore ishte 6.5/10,000 në meshkujt e moshës pas pubertetit, në moshën 16-20 vjeçare dhe 4.6/10,000 te meshkuj e moshës 61-80 vjeç, me një rritje të përgjithshme prej 5 dhe 11 herë në këto dy grupmosha gjatë periudhës 20-vjeçare.
Kështu, përfundojnë autorët, "incidenca e gjinekomastisë është rritur ndjeshëm gjatë 20 viteve të fundit". Kjo, argumentojnë Juul dhe kolegët e tij, nënkupton që ekspozimi ndaj steroideve seksuale endogjene ose ekzogjene ka ndryshuar, gjë që shoqërohet me pasoja të tjera negative për shëndetin e burrave, të tilla si një rrezik në rritje për kancer të prostatës, sindromë metabolike, diabet të tipit 2 ose çrregullime kardiovaskulare", përfundojnë autorët. Duhet theksuar se kjo hipotezë e testuar në studim, është formuluar para mbledhjes së të dhënave.
A.Z. J Clin Endocr Metab, 2020 Jul 7. Doi: 10.1210/clinem/dgaa440
https://academic.oup.com/jcem/article-abstract/doi/10.1210/clinem/dgaa440/5868100