sht222022
Gjatësia e trupit mund të luajë rol në rrezikun për fibrilacion atrial
Rezultatet e një studimi të ri të publikuar në JAMA Cardiology nënvizojnë rëndësinë e parandalimit të fibrilacionit atrial (FA) te gratë. Disa studime kanë treguar se gratë kanë një rrezik më të ulët për FA krahasuar me burrat, megjithëse pa arritur ende në një shpjegim përfundimtar. Studimi i ri sugjeron se mund të mos jetë kështu, ose më saktë ai tregon se në grupin e analizuar është arritur në përfundimin se gratë janë më të rrezikuara sesa burrat kur merret parasysh pesha dhe gjatësia e pjesëmarrësve.
"Ky është studimi i parë që tregon një ndryshim real në rrezikun për FA", thotë bashkëautorja e studimit Christine Albert nga Qendra Mjekësore Cedars-Sinai në SHBA.
Autorja shpjegon se sa më i gjatë të jetë një individ, aq më shumë është i rrezikuar për të zhvilluar FA, prandaj gratë, të cilat janë të prirura të jenë më të shkurtra se burrat, duket se kanë një rrezik më të ulët.
"Megjithatë, studimi ynë sugjeron çuditërisht se nëse një burrë dhe një grua do të kishin të njëjtën gjatësi, gruaja do të kishte më shumë gjasa për të zhvilluar FA", vazhdon ajo, duke theksuar se në vend që të pyesim pse gratë janë më të mbrojtura nga kjo gjendje, duhet të përpiqemi të kuptojmë se pse ato janë më të rrezikuara.
Alberti dhe bashkëpunëtorët e saj kryen një analizë të Studimit VITAL Rhythm, një studim me përzgjedhje rastësore i cili ekzaminoi efektin e plotësimit të vitaminës D dhe acideve yndyrore omega 3 në incidencën e FA-së te burrat mbi 50 vjeç dhe te gratë 55 vjeç e lart pa histori të FA-së, sëmundjeve kardiovaskulare ose kancerit.
Midis 25,000 njerëzve të përfshirë në studim, 900 ngjarje të FA-së ndodhën në një periudhë mesatare pasuese prej 5.3 vjetësh. Në një analizë të përshtatur sipas moshës dhe trajtimit, gratë kishin një rrezik më të ulët të incidencës së FA-së në krahasim me burrat (raporti i rrezikut [HR] 0,68). E njëjta gjë kur analiza u përshtat për përkatësinë etnike, pirjen e duhanit, konsumimin e alkoolit, hipertensionin, diabetin, sëmundjet e tiroideve, stërvitjen dhe indeksin e masës trupore (HR 0.73). Në vend të kësaj, seksi femëror u shoqërua pozitivisht me FA kur indeksi i masës trupore u zëvendësua nga gjatësia (HR 1.39), gjatësia dhe pesha (HR 1.49) ose sipërfaqja e trupit (HR 1.49) në modelin e analizës (HR- 1.25). Së fundi, faktorët e rrezikut të lidhur me FA-në rezultuan të jenë të ngjashëm ndërmjet burrave dhe grave.
"FA-ja është një sëmundje që ne duam ta parandalojmë, pavarësisht gjinisë së pacientit", tha Albert, duke deklaruar se studimi përfaqëson një hap të rëndësishëm për komunitetin mjekësor për të marrë parasysh dhe për të filluar diskutimin e rrezikut për FA-në me të gjithë pacientët.
JAMA Cardiology 2022. Doi: 10.1001/jamacardio.2022.2825.
https://www.doi.org/10.1001/jamacardio.2022.2825