pri72021
Ekziston një lidhje midis varësisë së qelizave tumorale nga glukoza dhe riparimit të ADN-së
Një studim i ri i botuar në "Nature Communications" raporton një mekanizëm molekular që modifikon varësinë e qelizave tumorale nga glukoza, duke treguar një marrëdhënie shkak-pasojë midis integritetit të ADN-së dhe metabolizmit të glukozës. Studimi thekson gjithashtu se kinazat e përgjigjes ndaj dëmtimit të ADN-së (DDR) koordinojnë metabolizmin dhe ndryshimet epigjenetike. "Varësia e qelizës tumorale nga glukoza nuk është shkaku i tumorit, i cili qëndron në ndryshimet e ADN-së. Është më tepër një pasojë, për shkak të çekuilibrit metabolik të vetë qelizave tumorale, që i bëjnë ato të kërkojnë më shumë energji sesa ato të shëndetshme", shpjegon Marco Foiani (Instituti FIRC i Onkologjisë Molekulare dhe Universiteti i Milanos), autor i punimit.
Dihet tashmë që qelizat tumorale konsumojnë sasi të mëdha glukoze dhe ekspertët besojnë se kjo mund të shfrytëzohet për ta bërë kimioterapinë më efektive përmes ndërhyrjes metabolike mbi vetë glukozën. Sidoqoftë, jo të gjitha tumoret varen njësoj nga glukoza dhe deri më tani nuk ishte e qartë nga se varej kjo ndryshueshmëri. Studiuesit deshën të thelloheshin në këtë çështje, duke nisur nga zbulimi se qelizat që treguan një aftësi të reduktuar për t'iu përgjigjur dëmtimit të ADN-së ishin shumë të varura nga furnizimi me glukozë.
"Kjo e dhënë gjeti lidhje me korrelacionin në shumë tumore midis një përgjigjeje të pamjaftueshme ndaj dëmtimit të ADN-së dhe konsumit të sasive të mëdha të sheqerit. Më tej, shtruam çështjen nëse mund të ketë një lidhje midis këtyre dy karakteristikave të kancerit", vazhdon Christopher Bruhn (IFOM), autori kryesor i punimit. Përmes studimit të metabolomikës, fosfo-proteomikës dhe analizave të shprehjes së gjeneve, autorët vunë re se qelizat me përgjigje të dobët ndaj dëmtimit të ADN-së prodhojnë histone të tepërta, të cilat grumbullohen dhe ndërhyjnë në metabolizmin qelizor, duke konsumuar shumë glukozë. Ata gjithashtu vunë në dukje se duke manipuluar gjenetikisht çekuilibrat, është e mundur të arrihet rikthimi i niveleve normale të metaboliteve.
"Ndërvarësia midis epigjenetikës dhe metabolizmit është thelbësore dhe histonet janë ndërmjetësit kryesorë të këtyre ndërveprimeve, sepse ndikojnë si në shprehjen e gjeneve, ashtu edhe në disa flukse metabolike. Rezultatet që kanë dalë tani nga laboratori tregojnë se është përgjigjja ndaj dëmtimit të ADN-së ajo që modifikon histonet, duke i bërë ato "sensorë metabolikë" të jashtëzakonshëm, me një ndikim të drejtpërdrejtë në nevojat ushqimore të qelizës tumorale", përfundon Foiani.
Nature Commun 2020. Doi: 10.1038/s41467-020-17961-4
https://doi.org/10.1038/s41467-020-17961-4