Focus

shk42022

Anila Kristo Pema, mjeke onkologe: Dita e 4 shkurtit të çdo viti shënon ditën e luftës kundër kancerit. Fatmirësisht, sot, kancer nuk nënkupton vdekje

Prej dekadash tashmë, kanceri përbën një nga shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në botë edhe në vendin tonë. Incidenca e tij (rastet e reja) vazhdon të rritet vit pas viti. Sëmundja e kancerit vazhdon të jetë një barrë sociale personale e ekonomike në vendet e zhvilluara e ato në zhvillim. Mjekja onkologe në QSUT, Anila Kristo Pema, ndër të tjera, na tregon edhe të rejat e fundit në këtë fushë...


- Doktoreshë, jemi në ditën e luftës kundër kancerit. Si një specialiste e fushës, ç'mund të na thoni për këtë sëmundje që është shndërruar në një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë në botë?

- Fatmirësisht, sot, kancer nuk nënkupton vdekje, prandaj edhe dita e 4 shkurtit është një ditë që mbart në vetvete ndërgjegjësimin mbi kancerin, por edhe shpresën për pacientët me kancer. Pavarësisht shtimit të rasteve të reja, vdekshmëria nga kanceri po vjen duke u ulur.


- Cilët faktorë ndikojnë në rritjen e incidencës?

- Faktorët që ndikojnë në rritjen e incidencës së kancerit janë të shumtë. Rritja e incidencës i dedikohet si rritjes reale të rasteve, ashtu edhe përmirësimit në vazhdim të teknikave  diagnostikuese dhe mbulimit më të plotë me kujdes mjekësor. Qasja e popullatës në shërbimin shëndetësor, patjetër që çon në shtimin e kapjes së rasteve të kancerit, veçanërisht në grupet e margjinalizuara të popullatës, apo në grupet me të ardhura minimale.
Faktorë reale mbeten: duhanpirja, ndotja, alkooli, jeta sedentare, stili i jetës, obeziteti, stresi, kanceri gjenetik familjar.
Edhe rritja e jetëgjatësisë kontribuon në shtimin e rasteve me kancer, pasi me rritjen në moshë, rritet edhe mundësia e degjenerimit të gjenomës sonë.


- Megjithatë, jemi në një situatë kur mund të flasim për ulje të vdekshmërisë në botë e në Shqipëri. Kujt i dedikohet kjo?

- Ndërgjegjësimi për kancerin dhe programet e depistimit synojnë kapjen e tumoreve në stade të hershme. Shumica e tumoreve janë plotësisht të shërueshme kur kapen herët.
Edhe përmirësimi i trajtimeve të kancerit luan rol kyç në uljen e vdekshmërisë. Të tilla janë shtimi e përmirësimi i trajtimeve dhe teknikave kirurgjikale dhe të radioterapisë.
Falë zhvillimeve të reja në gjenetikë dhe bioteknologji, sot gjen vend gjerësisht, përveç kimioterapisë standard e cila njihet për efektet anësore të shumta, edhe terapia e personalizuar.
Analizimi në laboratore speciale me teknikat e imunohistokimisë dhe biologjisë molekulare mundëson sot trajtimin me preparate targetuese të cilat veprojnë drejtpërdrejt mbi qelizat  tumorale, duke minimizuar efektet anësore dhe duke rritur ndjeshëm mundësinë për sukses. Preparate si cetuximabi në kancerin kolorektal dhe tumoret e regjionit kokë-qafë kanë përmirësuar ndjeshëm mbijetesën e të sëmurëve. Trastuzumab rituximab, imatinib  ribociclib, pembrolizumab e shumë e shumë produkte të ngjashme novatore kanë zënë vend në udhëzimet botërore dhe janë pjesë e pazëvendësueshme e protokolleve të mjekimit.
Vendet në zhvillim, siç është edhe Shqipëria, sfidohen çdo ditë nga nevoja për mbulim me këto medikamente të rëndësishme në luftën kundër kancerit.
Është detyrë e personelit mjekësor, shoqatave të pacientëve e shoqërisë në bashkëpunim me strukturat politikëbërëse, që të bëjnë të mundur qasjen pacientëve tanë në mjekime bashkëkohore tashmë të pranishme kudo në botë.
Edhe motoja e sivjetshme e datës 4 shkurt 2022 CLOSE THE CARE GAP ka si temë pikërisht uljen e diferencave në trajtim mes vendeve të zhvilluara e atyre në zhvillim.

Kanceri nuk është më dënim me vdekje.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>