Gjinekologji

tet72015

Lindja natyrale e sigurt për një shtatzënë që më parë i është nënshtruar ndërhyrjes çezariane

Sipas indikimeve të Royal College of Obstetricians and Gynaecologists (Rcog), të publikuara në Green-top Guideline numri 45, të cilat përditësojnë udhëzimet e vitit 2007, tregojnë se pas një ndërhyrjeje çezariane, në shumicën e rasteve një lindje vaginale është një zgjedhje e sigurt. Dokumenti i ri konfirmon se rruga natyrale pas një lindjeje çezariane ka një shkallë suksesi rreth 75%, e njëjta me atë të lindjeve për herë të parë, shkalla ulet në 71% pas dy apo më shumë ndërhyrjesh çezariane. Anasjelltas, shkalla rritet në 85-90% nëse gruaja përveç ndërhyrjes çezariane ka pasur edhe fëmijë të tjerë të lindur në mënyrë vaginale. "Ky udhëzim propozohet për të ndihmuar gjinekologët që të informojnë në mënyrë të plotë dhe precize pacientët e tyre mbi opsionet e mundshme për shtatzënitë dhe lindjet në vijim", shkruajnë ekspertët e Rcog, duke theksuar nevojën për të garantuar një cilësi optimale të kujdesit për sa i përket këshillimit prenatal, proceseve të përbashkëta në vendimmarrje dhe në mbajtjen e dokumentacionit. "Nëse në ekografinë e javës së 20 nuk ka shkaqe klinike për të mos tentuar një lindje vaginale pas asaj çezariane, gjinekologu duhet të flasë me gruan dhe partnerin e saj për të arritur në një vendim brenda javës së 36, se si do të procedohet", shpjegon Janesh Gupta, profesor i gjinekologjisë në Birmingham Women's Hospital dhe autor kryesor i këtyre udhëzimeve. "Krahasuar me një lindje të re çezariane, rruga natyrale është më pak e komplikuar dhe rreziku tepër i rrallë për humbjen e jetës nga lindja është i njëjtë me atë të nënave që lindin për herë të parë", vijon eksperti, duke theksuar megjithatë ekzistencën e një probabiliteti 1 në 200 raste për këputje të mitrës dhe 1 rast në 1000 për fetus të lindur të pajetë pas javës së 39. "Së fundmi, nënat që përpiqen për një lindje vaginale por që duhet të lindin në mënyrë çezariane me urgjencë, kanë një risk më të madh për shfaqjen e infeksioneve", përfundon Gupta. Alan Cameron, zëvendës president i grupit për cilësinë klinike të Rcog, shton: "Për një grua shtatzënë është e rëndësishme të dijë se pas një ndërhyrjeje çezariane, si një ndërhyrje tjetër e tillë më pas ashtu edhe një lindje natyrale janë të sigurta, në mënyrë që ajo të mund të vendosë e qetë cilën mundësi të zgjedhë".

Rcog - Green Top Guideline n. 45; 01/10/2015
https://www.rcog.org.uk/en/guidelines-research-services/guidelines/gtg45/

Përktheu: Erjola Taga


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>