jan142019
Problemet e dyshemesë pelvike. Rreziqe të ndryshme, në varësi të llojit të lindjes
Lindja me prerje cezariane sjell me vete më pak rreziqe për inkontinencë urinare për shkak të stresit, fshikëz hiperaktive dhe prolaps të organeve pelvike, në krahasim me një lindje vaginale, sidomos nëse kjo e fundit është bërë me ndërhyrje, sipas një studimi të publikuar në "JAMA" dhe të udhëhequr nga Joan Blomquist (Greater Baltimore Medical Center, Mariland).
"Me gjithë përparimet e kohëve të fundit, mekanizmat biologjikë që qëndrojnë në themel të çrregullimeve të legenit, të cilat prekin miliona gra në Shtetet e Bashkuara, mbeten të paqarta. Studimet sugjerojnë se këto probleme lidhen me lindjen e fëmijës, sepse janë shumë të lidhura me gjininë dhe janë më të zakonshme pas lindjes vaginale, në krahasim me prerjen cezariane. Megjithatë, pak dihet për lidhjen mes ekspozimeve të ndryshme obstetrike dhe rrjedhës e progresit të çrregullimeve të dyshemesë pelvike gjatë jetës së një gruaje.
Qëllimi ynë ishte pikërisht përshkrimi i incidencës së çrregullimeve të dyshemesë pelvike, në një periudhë të largët nga lindja dhe identifikimi i karakteristikave të lidhura me të", thonë autorët. Për këtë qëllim, janë vlerësuar mbi 1.500 gra që kishin lindur të paktën një herë, duke vënë në dukje se rreziqet për inkontinencë urinare nga stresi, fshikëz hiperaktive, inkontinencë anale dhe prolaps të organeve pelvike, ishin më të ulëta në qoftë se lindja ishte bërë me prerje cezariane, në krahasim me lindjen vaginale, në veçanti, nëse ishte ndërhyrë me forceps apo me vakum.
Incidenca kumulative në 15 vjet e prolapsit të organeve pelvike, në fakt, ishte 30% te gratë me të paktën një lindje natyrore vaginale dhe 45% te gratë që kishin bërë lindje vaginale me përdorimin e mjeteve mekanike, në krahasim me 9% të grave që i janë nënshtruar prerjes cezariane.
"Kemi zbuluar se, në distancë prej vitesh nga lindja, rreziku i çrregullimeve të dyshemesë pelvike mund të ndryshojë në varësi të metodës me të cilën është bërë lindja. Studimi ynë, për fat të keq, është fokusuar vetëm në një spital, kështu që rezultatet nuk mund të jenë të përgjithësueshme për të gjithë popullsinë", përfundojnë autorët.
JAMA. 2018. doi: 10.1001/jama.2018.18315
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30561480