jan72016
Gratë me kancer gjiri: triptorelina mbron fertilitetin
Sipas një studimi italian të sapo publikuar në "Jama" femrat me kancer gjiri, që ndryshe nga trajtimi vetëm me kimioterapi, marrin edhe triptorelin, kanë probabilitet më të lartë rikuperimi afatgjatë të funksioneve ovarike, për më tepër pa shfaqur ndryshime domethënëse në normën e shtatzënive apo mbijetesës së lirë nga sëmundjet. "Pjesa me e madhe e grave të reja me karcinomë mamare invazive janë kandidate për të marrë si kemioterapinë, ashtu edhe terapinë endokrine, me pasoja të mundshme humbjen e funksionit ovarian dhe reduktimin e fertilitetit", shkruan bashkautorja Lucia Del Mastro nga Instituti kombëtar për kërkimet mbi kancerin në Xhenova. Por ajo shton se triptorelina, një analog Lhrh (Luteinizing Hormone-Releasing Hormone analogue - LHRHa), mund të ndihmojë në ruajtjen e fertilitetit në këtë kategori pacientesh. Për të thelluar argumentin, kërkuesit kanë caktuar në mënyrë rastësore 281 femra në para menopauzë, mosha mesatare 39 vjeç, me tumor të gjirit në stadin nga I në III, që t'i nënshtrohen trajtimit vetëm me kimioterapi ose të kombinuar me triptorelin.
Të përzgjedhurat kryesore midis tetorit 2003 dhe janarit 2008, janë ndjekur deri në qershor 2014. "Incidenca kumulative e rikuperimit menstrual në 5 vjet ka qenë 73% në grupin që mori triptorelin dhe 64% në atë të kontrollit, ndërkohë që shtatzënitë kanë qenë respektivisht 8 dhe 3", shkruajnë autorët, duke shtuar se mbijetesa pa sëmundjen ka qenë rreth 80,5% në grupin triptorelin dhe 84% te kontrollet. "Studimi mundëson informacione interesante mbi follow-up-in afatgjatë te pacientet e trajtuara me triptorelin gjatë kimioterapisë për parandalimin e menopauzës së parakohshme ose të efekteve të saj negative në gjendjen shëndetësore", shkruan në një editorial Ann Partridge nga "Dana-Farber Cancer Institute" në Boston. "Edhe pse këto rezultate sugjerojnë përfitime modeste për sa i përket parandalimit të sterilitetit të lidhur me terapinë, studimet deri më tani reflektojnë rëndësinë emergjente për të kuptuar dhe përmirësuar cilësinë e jetës së femrave të reja me kancer mamar, duke u ofruar atyre mundësi të reja trajtimi", përfundon kërkuesja.
Jama 2015. doi:10.1001/jama.2015.17291
http://jama.jamanetwork.com/article.aspx?doi=10.1001/jama.2015.17291
Jama 2015. doi:10.1001/jama.2015.17299
http://jama.jamanetwork.com/article.aspx?doi=10.1001/jama.2015.17299
Përktheu: Erjola Taga