gus162017
Gratë që bëhen nëna në moshë të madhe më të rrezikuara nga sëmundjet e rënda
Sipas një studimi të publikuar së fundi në PLOS Medicine, risku për shfaqjen e një sëmundjeje të rrezikshme si insuficienca renale, shoku obstetrik dhe embolia amniotike, në periudhën pranë lindjes, rritet te nënat me moshë më të madhe. "Kemi ekzaminuar të dhënat e të gjitha lindjeve teke nga gra të cilat jetonin në Uashington mes viteve 2003 - 2013, me një numër total prej 828.269 rastesh dhe kemi krahasuar shkallët specifike për moshë të vdekjeve materne dhe sëmundshmërisë së rëndë, që përfshinin për shembull shokun obstetrik dhe embolinë amniotike", shprehet Sarka Lisonkova nga University of British, Columbia, Kanada, e cila ka drejtuar grupin e studimit. Pas eliminimit të faktorëve të mundshëm ngatërrues, si indeksi i masës trupore dhe fekondimi i asistuar, kërkuesit kryen një ballafaqim mes nënave nga 25-29 vjeç dhe vërejtën një shtim të rasteve me shok obstetrik te nënat mbi 35 vjeç, me emboli amniotike te nënat mbi 40 vjeç dhe insuficiencë renale, komplikime të ndërhyrjeve obstetrike dhe shtrim në njësinë e terapisë intensive të nënave 45-49 vjeç.
Gjithashtu studiuesit vërejtën se sepsisi maternal ishte në mënyrë domethënëse më i lartë te nënat adoleshente krahasuar me ato në moshë 25-29 vjeç. Diferenca e riskut për sëmundshmëri të rëndë materne krahasuar me nënat në këtë grupmoshë ka qenë me 0.9% për nënat 40-44 vjeç, 1.6 % për nënat 45-49 vjeç dhe 6.4% për nënat mbi 50 vjeç. Pavarësisht dimensionit të madh të kampionit, fuqia statistikore ka rezultuar e pamjaftueshme për të analizuar lidhjen mes moshës dhe vdekjes materne apo sëmundjeve të rënda shumë të rralla. "Këto rezultate duhet të ofrojnë elemente për të përmirësuar këshillimin ndaj grave që vendosin të vonojnë lindjen deri në 40 vjeç dhe u japin informacione ofruesve të asistencës shëndetësore. Meqë mosha materne vazhdon të rritet, shkalla e sëmundshmërisë materne të rëndë është me shumë mundësi e destinuar të rritet në të ardhmen", përfundojnë autorët.
PloS Medicine 2017. Doi: 10.1371/journal.pmed.1002307
http://journals.plos.org/plosmedicine/article?id=10.1371/journal.pmed.1002307