dhj282017
Studime të reja mbi abortin e përsëritur
Çfarë duhet të dinë prindërit dhe personeli shëndetësor
Shoqata Europiane e Riprodhimit dhe Embriologjisë (ESHRE) ka publikuar së fundi udhëzime të reja në lidhje me abortin e përsëritur. Ato përditësojnë një dokument të vitit 2006 dhe janë zhvilluar nga një grup pune që përfshin gjinekologë me eksperiencë në mjekësinë riprodhuese, abort dhe aborte të përsëritura, trombofili dhe infertilitet mashkullor, si dhe një anëtare e Shoqatës së Aborteve në Mbretërinë e Bashkuar, e cila përfaqësonte këndvështrimin e pacientit.
"Objektivi i përgjithshëm i kësaj pune është t'i ofrojmë personelit shëndetësor provat më të mira për hetimin dhe trajtimin e femrave me ndërprerje të përsëritura të shtatzënisë (ndërprerje e dy apo më shumë shtatzënive)", shpjegon Mariëtte Goddijn (Qendra e Barnave Riprodhuese, Amsterdam), që ka drejtuar punimet.
Pasi është marrë vendimi për të përdorur termin "ndërprerje e përsëritur e shtatzënisë", si më i miri i pranuar për abortet e përsëritura, në udhëzim është mundësuar një panoramikë e trajtimeve të sugjeruara për këtë problem, me rekomandime që lidhen me të. Më pas janë dhënë udhëzime mbi hetimet që mund të ishin të dobishme për të identifikuar origjinën e ndërprerjeve të shtatzënisë dhe objektivat e mundshme terapeutike, si dhe rekomandime rreth organizimit të ndihmës për çiftet me këtë problem.
Dokumenti i drejtohet personelit shëndetësor që ka një kontakt të drejtpërdrejtë me çiftet dhe që merr vendime që kanë të bëjnë me kurat, ndërsa në vijim do të zhvillohet një version për vetë pacientët.
Ndër udhëzimet e ndryshme, grupi i punës vë re nevojën për studime mbi dhimbjen e çiftit, që i drejtohet në veçanti impaktit emocional të mashkullit dhe jo të femrës, si studimet e kryera deri më tani. Mjekët dhe klinikat duhet të kenë parasysh nevojat psiko-sociale të çifteve dhe të japin informacione në mënyrë korrekte mbi të gjitha aspektet që mund të jenë shkak i problemit.
Në veçanti, për shembull duhet t'u bëjmë të ditur femrave se risku i ndërprerjes së shtatzënisë është më i ulët në moshën midis 20 dhe 35 vjeç dhe që ky rritet me shpejtësi pas të dyzetave. Çiftet gjithashtu duhet të dinë se nuk ka prova që tregojnë se stresi i lidhur me abortet e përsëritura, mund të jetë shkaku i drejtpërdrejtë, ndërsa duhanpirja dhe një konsum i tepruar i alkoolit mund të kenë një impakt negativ mbi mundësinë për të lindur fëmijë. Duhet edhe të bëjmë të ditur se obeziteti apo nënpesha e theksuar e nënës janë shpesh të lidhura me komplikime obstetrike.
Sipas udhëzimeve, historia mjekësore familjare duhet të përdoret për të ndërmarrë hetime diagnostikuese dhe prognoza duhet të bazohet në numrin e ndërprerjeve të mëparshme të shtatzënisë dhe në moshën e femrës. Në kërkesën e femrave për informacione mbi shtesat ushqimore me vitamina, personeli i shëndetësisë duhet të udhëzojë ato që janë të sigurta në shtatzëni. Grupi i punës nënvizon në fund se janë identifikuar argumente të ndryshme për të cilat provat janë të papajtueshme, të pamjaftueshme apo nuk ekzistojnë dhe rekomandojnë që kërkimet e ardhshme të përqendrohen në këto boshllëqe gjatë kërkimit.
ESHR - Udhëzime
https://www.eshre.eu/Guidelines-and-Legal/Guidelines/Recurrent-pregnancy-loss.aspx