jan112018
Lindja e parakohshme. Unaza redukton rrezikun te gratë me cerviks të shkurtër
Përdorimi i një unaze për qafën e mitrës mund të parandalojë lindjen spontane të parakohshme te gratë me cerviks të shkurtër, sipas një studimi të kontrolluar, me përzgjedhje rastësore, publikuar në "JAMA", me autor Gabriele Saccone-n, Universiteti i Napolit "Federico II".
"Në rastet e grave shtatzëna, pa simptoma dhe pa historik shtatzënish me lindje të parakohshme, por me gjatësi cervikale (që rezulton nga ekografia transvaginale) të barabartë apo më të vogël se 25 mm, përdorimi i një unaze të qafës së mitrës lidhet me një frekuencë më të vogël të lindjeve spontane të parakohshme, krahasuar me ato që nuk e kanë vënë një unazë të tillë", shkruajnë autorët, që kanë futur në grupin e studimit 300 gra të moshës 18-50 vjeçe, në periudhën mars 2016-maj 2017. Pjesëmarrëset, të gjitha nga java e 18-23 e shtatzënisë, janë përzgjedhur rastësisht ndërmjet atyre që kishin vënë ose jo unazë të qafës së mitrës. Protokolli i studimit përfshinte një kontroll mujor deri në lindje dhe përshkrimin e ovulave të progesteronit vaginal për ato që kishin një gjatësi cervikale të barabartë ose më të vogël se 20 mm, deri në javën e 36-të.
Në përfundim të ndjekjes, kërkuesit kanë zbuluar se 7.3 % e grave që përdornin unazën kanë patur një lindje të parakohshme para javës së 34-ërt, krahasuar me 15.3 për qind të grave në grupin e kontrollit. Megjithëse nuk janë vënë re dallime në kushtet e dhimbjeve të legenit mes dy grupeve, as dëmtime për shkak të vënies apo të heqjes së diapozitivit, gratë me unazë kanë patur sekrecione më të shpeshta vaginale: 86.7 %, në raport me 46 %, te grupi i kontrollit.
"Këto rezultate janë kontradiktore me ato që kanë dalë nga studimet e mëparshme, që nuk tregonin përfitime nga përdorimi i unazës", shkruajnë autorët, duke nënvizuar se studimi ishte eksperimental monocentrik dhe kjo mund të kufizojë përgjithësueshmërinë e rezultateve. "Enigma e krijuar nga rezultatet e kundërta është e dukshme dhe për momentin është e rëndësishme të tregohemi të kujdesshëm para se të rekomandojmë vendosjen e unazës në një shkallë më të gjerë", shkruan Robert Silveri (Universiteti i Utahut), duke sugjeruar që derisa të jenë të disponueshme të dhëna të reja, mjekët është mirë të përdorin metoda të tjera, të cilat janë verifikuar tashmë.
Jama 2017. Doi: 10.1001/jama.2017.18956
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2666505