sht62024
Shtohen çrregullimet hipertensive në shtatzëni
Në një studim të publikuar në Canadian Medical Association Journal, u vërejt një rritje e konsiderueshme e çrregullimeve hipertensive në shtatzëni në Kanada. Kjo tendencë alarmuese shoqërohet edhe me një rënie kontekstuale të disa morbiliteteve shoqëruese.
Në të u analizuan të dhënat e 2.8 milionë lindjeve spitalore në vitet 2012-2021. Studiuesit vërejtën një rritje të përgjithshme me 40% në prevalencën e çrregullimeve hipertensive në shtatzëni, duke kaluar nga 6.1% në 8.5%. Në veçanti, hipertensioni paraekzistues u rrit nga 0.6% në 0.9%, hipertensioni gjestacional nga 3.9% në 5.1% dhe preeklampsia nga 1.6% në 2.6%.
Pavarësisht rritjes së prevalencës së çrregullimeve hipertensive, u vërejt një reduktim i komplikacioneve të rënda të lidhura me to, si lindjet e parakohshme, vdekja fatale intrauterine, si dhe shtrimi i nënës në terapi intensive. Megjithatë, te gratë e prekura nga çrregullimet hipertensive, u konstatua një rritje e normave të metodës cezariane (nga 42.0% në 44.3%) dhe të pamjaftueshmërisë renale akute (nga 0.4% në 0.6%).
Gratë me diabet paraekzistues shfaqën një rrezik dukshëm më të lartë për zhvillim të çrregullimeve hipertensive. Autorët theksojnë se shtimi i çrregullimeve hipertensive mund të lidhet edhe me faktorë jo të marrë për vlerësim në studim, si shtimi i obezitetit te gratë pjellore.
"Shtimi i numrit të pacienteve obstetrike në rrezik të lartë, duhet t'i nxisë autoritetet e politikave shëndetësore të përmirësojnë qasjet ndaj trajtimeve obstetrike të specializuara, përfshirë edhe në periudhën e postpartumit, sidomos te pacientet me imunitet më të dobët", përfundojnë autorët e studimit.