shk112019
Leiomiomat uterine. Ablacioni transcervikal është i sigurt dhe efikas
Ablacioni transcervikal jep mundësi për trajtimin në mënyrë të sigurt dhe efikase të të gjitha llojeve të leiomiomave jo të pedunkuluara nëpërmjet një qasjeje konservative të uterusit, pra, pa prerje, sipas asaj çka referohet në një studim të publikuar në "Obstetrics & Gynecology".
"Ne kemi dashur të vlerësojmë sigurinë dhe efikasitetin në 12 muaj të ablacionit transcervikal për trajtimin e leiomiomave uterine simptomatike", konfirmon Scott Chudnoff (Spitali i Stamfordit, SHBA).
Studiuesit kanë studiuar ablacionin transcervikal te 147 pacientë, të regjistruar dhe trajtuar në SHBA dhe në Meksikë, të cilët iu nënshtruan trajtimit të leiomiomave (deri në 10) me diametër 1 deri në 5 cm. Leiominomat e trajtuara përfshinin të gjitha llojet e formacioneve të këtij lloji, jo të pedunkuluara. Rezultatet kryesore të vlerësuara në 12 muaj ishin reduktimi i gjakut menstrual dhe mungesa e nevojës për të përsëritur kirurgjinë. Vlerësimet e mëtejshme përfshinin ashpërsinë e simptomave, cilësinë e jetës, kënaqësinë e pacientit, reduktimin e vëllimit të mitrës dhe leiomiomave dhe të sigurisë. Kështu, në 12 muaj, 64.8% e pacientëve kishin një reduktim 50% ose më shumë në gjakderdhjen menstruale dhe 99.3% e pacientëve nuk kishin nevojë për operacion të ri. 95.1% e pacientëve treguan reduktim të gjakderdhjes menstruale në 12 muaj.
Autorët theksojnë se, edhe në 12 muaj, ka pasur përmirësime të dukshme në ashpërsinë e simptomave dhe në cilësinë e jetës së lidhur me shëndetin. Reduktimi mesatar i vëllimit të leiomiomës për pacient ishte 62.4% dhe më shumë se gjysma e pacienteve iu kthyen aktivitetit normal brenda një dite. Përveç kësaj, 96.3% e pacienteve kanë raportuar përmirësim të simptomave dhe 97% janë shprehur të kënaqura nga trajtimi.
"Ablacioni transcervikal u shoqërua me reduktim të ndjeshëm të simptomave të shkaktuara nga leiomiomat e mitrës, pa ngjarje të padëshiruara që lidhen me pajisjen dhe me një shkallë të ulët të nevojës për ndërhyrje të re kirurgjike", përfundojnë autorët.
Obstet Gynecol. 2019. Doi: 10.1097/AOG.0000000000003032
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30531573