Gjinekologji

maj62019

Nevojitet ekografi në fazat e përparuara të shtatzënisë. Ja, përfitimet!

Kryerja e një ekografie universale në javën e tridhjetë e gjashtë të shtatzënisë do të shmangte mos diagnostikimin e pozicionit podalik në momentin e lindjes, do të ulte incidencën për operacion cezarian urgjent dhe do të përmirësonte shëndetin e nënave dhe fëmijëve, sipas një studimi të botuar në "PLOS Medicine".

"Paraqitja podalike e padiagnostikuar rrit rrezikun për sëmundshmëri dhe vdekshmëri perinatale. Në praktikën aktuale, gjendja fetale vlerësohet me anë të palpimit të barkut të nënës, por ndjeshmëria e kësaj qasjeje ndryshon shumë në bazë të atyre që e vënë atë në praktikë", thotë David Wastlund (Universiteti i Kembrixhit, Britani e Madhe), autori kryesor i studimit. "Duke përdorur shqyrtimin me ultratinguj, mund të shmanget mosdiagnostikimi i pozicionit podalik, duke ulur kështu rrezikun e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë për nënën dhe foshnjën", shton ai.

Për të vlerësuar këtë qasje, iu nënshtruan një shqyrtimi me ultratinguj në javën e 36-të të shtatzënisë, 3,879 gra që ishin në shtatzëninë e tyre të parë në Angli. Gjithsej 179 gra (4.6%) u diagnostikuan me paraqitje podalike dhe në më shumë se gjysmën e këtyre rasteve (55%) nuk kishte asnjë dyshim të mëparshëm që fëmija mund të ishte në këtë pozicion. Ama, duke e zbuluar para lindjes, gratë mund të tentonin një version të jashtëm cefalik ose operacion cezarian të planifikuar. Asnjëra nga gratë nuk zgjodhi të provonte lindjen vaginale në rastin e pozicionit podalik, të lidhur dukshëm me një rrezik në rritje për komplikacione, veçanërisht në lindjet e para. Bazuar në vlerësimet e autorëve, në të gjithë Britaninë e madhe, ekografitë rutinë mund të parandalojnë 15,000 paraqitje podalike të padiagnostikuara, mbi 4,000 operacione cezariane emergjente dhe shtatë deri në tetë vdekje neonatale në vit.

"Ende nuk mund të themi nëse përmirësimet e shëndetit janë të mjaftueshme për të justifikuar koston e skrinimit ekografik", shpjegojnë studiuesit. Sipas ekspertëve, nëse do të ishte e mundur të bëhej një skanim me ultratinguj për më pak se 12.90 stërlina, shërbimi kombëtar shëndetësor britanik mund të kishte edhe një kursim në kosto. Kjo bëhet e mundur duke udhëzuar mjekët si ta bëjnë ekografinë duke përdorur pajisje të lira portative.


PLoS Med. 2019. doi: 10.1371/journal.pmed.1002778
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30990808


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>