qer182024
Pesha e ulët në lindje parashikon funksionin konjitiv te nëna
Në një studim të publikuar në Neurology, u zbulua lidhja ndërmjet lindjeve të foshnjeve me peshë të vogël (LBW) dhe funksionit konjitiv te gratë e moshës së mesme, duke analizuar të dhënat e grumbulluara nga Nurses' Health Study II.
Në të u përfshinë 15.323 gra, në moshën mesatare 62-vjeçare, të cilat morën pjesë në një vlerësim konjitiv, duke kryer një sërë testesh të vetë-administruara që matin shpejtësinë psikomotore, vëmendjen, të mësuarit dhe kujtesën e punës. Nga këto, 1,224 gra (8%) kishin lindur më parë një foshnje që peshonte më pak se 2,500 gram.
Pas përshtatjes për faktorë të ndryshëm si mosha, raca, niveli arsimor, statusi socio-ekonomik dhe karakteristikat para shtatzënisë, studiuesit zbuluan se gratë me anamnezë LBW-je kishin rezultate dukshëm më të ulëta në fushat e shpejtësisë psikomotore/të vëmendjes dhe të të mësuarit/kujtesës së punës. Për më tepër, u vu re një gradient i rënies konjtive me rritjen e numrit të LBW-ve që kishin.
Studimi u bazua në një analizë retrospektive të të dhënave të mbledhura midis viteve 2014 dhe 2018. Pjesëmarrëset plotësuan një pyetësor të detajuar të historisë riprodhuese në vitin 2009, i cili ofroi informacione kyçe për identifikimin e foshnjave me peshë të ulët në lindje. Vlerësimi konjitiv u krye në dy valë grumbullimi të të dhënave, në të cilin u përfshinë vetëm gratë që kishin përfunduar të paktën një vlerësim të vlefshëm konjitiv dhe që kishin lindur të paktën një fëmijë pas moshës 18-vjeçare.
Këto rezultate janë shumë të rëndësishme për të kuptuar ndërveprimet ndërmjet shëndetit riprodhues dhe funksionit konjitiv. "Anamneza riprodhuese nuk është e izoluar nga pjesa tjetër e jetës së një gruaje, por është e ndërthurur me shëndetin e saj para dhe pas shtatzënisë", theksuan autorët.