maj172019
Preklampsia. Testi i thjeshtë i urinës do të ndihmojë në diagnostikim
Sipas një studimi të publikuar në "E-Clinical Medicine", nga grupi Lancet, një ekzaminim i thjeshtë i urinës mund ta zbulojë shumë shpejt preklampsinë. "Ky është studimi i parë klinik që përdor një test diagnostikues i cili kryhet direkt në pikën e kurimit. Fasha reaktive Congo Red Dot (CRD) është shfaqur superiore ndaj indikatorëve të tjerë në vendosjen ose përjashtimin e një diagnoze të preklampsisë", konfirmon Kara Rood (Universiteti Shtetëror i Ohajos), autorja kryesore e studimit. "Zbulimi ynë do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm mbi shëndetin e grave dhe të fëmijëve", vijon ajo. Aktualisht, për të identifikuar preeklampsinë, që shkakton rreth 18% të vdekjeve materne në SHBA, mbështetemi te zbulimi i hipertensionit dhe i disa proteinave në urinë. "Preklampsia prek deri në 8% të shtatzënive dhe sfida qëndron në faktin që bëhet fjalë për një sëmundje progresive dhe se jo të gjitha rastet përkeqësohen në të njëjtën kohë. Disa gra mund ta kenë sëmundjen disa javë përpara se të manifestohen simptomat, ndërsa të tjera mund të përkeqësohen në nivele të rrezikshme brenda pak ditësh", shpjegon Rood.
Për studimin, kërkuesit kanë regjistruar 346 gra shtatzëna që ishin vlerësuar për tensionin e lartë dhe preklampsinë e mundshme. Pra, kanë përdorur testin e urinës CRD që është në gjendje të ofrojë rezultatet në shtratin e pacientes brenda 3 minutash dhe disa infermierë me formim të posaçëm kanë analizuar rezultatet përpara se mjeku të formulonte një diagnozë përfundimtare. Ndërmjet grave të përfshira në studim, 89 kanë marrë një diagnozë të preklampsisë nga mjeku dhe 79% e tyre i është nënshtruar induktimit të lindjes për shkak të preklampsisë, mesatarisht në javën e 33-të të shtatzënisë. Kërkuesit kanë gjetur për testin CRD një normë saktësie me 86%, më të lartë se vlera e zbuluar për testet biokimike.
"Këto rezultate konfirmojnë se testi CRD është një instrument i thjeshtë klinik "sample in/answer out" që lejon një diagnozë shumë të kujdesshme dhe të thjeshtë të preklampsisë", thonë autorët. Ekspertët mendojnë se ky test mund të jetë i dobishëm, përveç përdorimit ambulatorial në fushën e asistencës prenatale, edhe si instrument për gratë që jetojnë në vende me burime të pakta shëndetësore.
EClinicalMedicine 2019. Doi: 10.1016/j.eclinm.2019.02.004
https://www.sciencedirect.com/science/article/pii/S2589537019300252?via%3Dihub