tet282019
Endometrioza. Studimi nxjerr në pah ndikimin ekonomik
Përveç dhimbjes pelvike, endometrioza sjell me vete edhe efekte të konsiderueshme ekonomike, sipas një studimi të botuar në "PLOS ONE" dhe të nënshkruar nga studiuesit e Universitetit "Western Sydney" dhe "UNSW Sydney".
Autorët intervistuan më shumë se 400 gra të diagnostikuara me endometriozë ose dhimbje pelvike kronike, për të përcaktuar ndikimin ekonomik, duke përfshirë kostot direkte shëndetësore, ato që rrjedhin nga mungesat në punë dhe kostot familjare. Duke vepruar kështu, ata zbuluan se gratë me endometriozë kanë kosto mesatare vjetore për frymë prej 31,000 dollarësh australianë (AUD), dhe se këto kosto ndryshojnë në varësi të nivelit të dhimbjes, duke u dyfishuar tek ato që kanë dhimbje të forta në krahasim me ato që, përkundrazi, ankohen për dhimbje minimale.
"Pjesa më e madhe e kostove (75-84%) varen nga humbja e produktivitetit", thotë bashkautori Mike Armor (Instituti i Kërkimit Shëndetësor NICM), duke shtuar se endometrioza prek rreth një në 10 gra dhe ndodh për shkak të akumulimit jonormal të qelizave endometriale jashtë mitrës, gjendje që çon në një gjendje inflamatore kronike, e manifestuar me dhimbje të forta pelvike.
"Studimi nxjerr në pah nevojën urgjente, si për veprim të menjëhershëm politik, ashtu edhe për hulumtime të mëtejshme mbi shkakun e endometriozës dhe menaxhimin e dhimbjes, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e jetës së pacienteve, të cilat në Australi janë të ngarkuara me një barrë të konsiderueshme financiare për shkak të kushteve të tyre", vazhdon studiuesi, duke theksuar se përveç kostove shëndetësore, dhimbja mund të shkaktojë mungesa në punë dhe reduktim të punës dhe produktivitetit të familjes.
"Nga këto rezultate del se endometrioza dhe dhimbja kronike pelvike mund të kenë një ndikim të konsiderueshëm jo vetëm mbi gratë që vuajnë prej saj, por edhe për familjet e tyre dhe ekonominë në përgjithësi", përfundon Armori, duke deklaruar se plani kombëtar i veprimit për endometriozën duhet t'i japë përparësi përmirësimit të kontrollit të dhimbjes, faktori më së shumti përgjegjës për barrën ekonomike.
PLoS One. 2019. doi: 10.1371/journal.pone.0223316
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31600241