Gjinekologji

dhj182019

Linfoma e Hodgkinit në shtatzëni. Menaxhimi i sigurt i nënës dhe fëmijës

Sipas një studimi të ri, linfoma e Hodgkinit mund të menaxhohet me siguri edhe gjatë shtatzënisë. Qëllimi i Charlotte Maggen (KU Leuven, Belgjikë) dhe kolegëve të saj, ka qenë vlerësimi i rezultateve obstetrike, menaxhimi prenatal dhe mbijetesa materne te pacientet me linfomën e Hodgkinit, të diagnostikuar gjatë shtatzënisë.

Studimi, i publikuar në "The Lancet Hematology", ka përfshirë 134 gra shtatzëna të prekura nga patologjia dhe të regjistruara në bazën e të dhënave të Internet Network on Cancer, Infertility and Pregnancy, që mbledh të dhëna nga 11 vende. 42% e grave (56 vetë), nuk kanë ndjekur asnjë terapi për tumorin gjatë shtatzënisë, ndërkohë që 4% (6 gra) dhe 54% (72 gra) i janë nënshtruar respektivisht radioterapisë dhe kimioterapisë; në pjesën më të madhe të rasteve, regjimit ABVD (doxorubicina, bleomycina, vinblastina e dacarbazina).
Incidenca e të lindurve të vegjël për moshën gjestacionale nuk ka qenë e ndryshme mes grupit të grave të trajtuara me kimioterapi dhe grupit pa trajtim. I njëjti rezultat ka qenë për shtrimin në njësinë e terapisë intensive neonatale, ndërsa përqindjet e peshës kanë qenë më të ulëta mes të lindurve që kanë qenë të ekspozuar ndaj terapisë prenatale. Kur janë analizuar rezultatet materne, kanë dalë në pah komplikacione më të mëdha obstetrike te pacientet që i janë nënshtruar terapisë, krahasuar me pacientet që nuk janë trajtuar; kryesisht, kontraksione (12% përkundër 7%) dhe këputje e membranave (5% përkundër 0).
Megjithatë, nuk ka dalë asnjë dallim në mbijetesë mes 77 shtatzënave dhe 211 grave jo shtatzëna, si në rastin e linfomës në stad fillestar, ashtu edhe të përparuar. Këto të dhëna, siç janë sjellë nga autorët, sugjerojnë që kimioterapia prenatale apo rinisja e trajtimit deri pas lindjes te pacientet e përzgjedhura, mund të merret në konsideratë me një ndjekje të rregullt obstetrike për të mbikëqyrur rritjen fetale.
Rezultatet për gratë shtatzëna nuk duken më të këqija krahasuar me pacientet që nuk ishin shtatzëna. "Problemet e prognozës materne nuk janë më një argument për të ndërprerë shtatzëninë", ka deklaruar autori kryesor, Frédéric Amant (Instituti Holandez i Kancerit). "Ekzistojnë të tjera mundësi, që sigurisht, duhen diskutuar hollësisht me gruan. Ato, pa dyshim që përfshijnë edhe disa rreziqe, por mund të kenë rezultate të rëndësishme", ka deklaruar Giovanni Codacci-Pisanelli, autor i një editoriali në lidhje me çështjen, së bashku me Giuseppe Cimino-n, që të dy pjesë e Universitetit "La Sapienza" në Romë.

 

Lancet Haematol. 2019 Nov;6(11):e551-e561. doi: 10.1016/S2352-3026(19)30195-4.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31564649

Lancet Haematol. 2019 Nov;6(11):e541-e542. doi: 10.1016/S2352-3026(19)30196-6.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31564648


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>