tet232020
Karcinoma duktale in situ trefishon rrezikun e vdekjes
Te gratë me karcinomë duktale in situ (DCIS), vdekshmëria nga kanceri i gjirit është tre herë më e lartë se në popullatën e përgjithshme, sipas një studimi epidemiologjik të botuar në "Jama Network Open" dhe nënshkruar nga Steven Narod (Departamenti i Mjekësisë në Universitetin e Torontos) dhe kolegët e tij. Studiuesit përdorën arkivin Seer (Surveillance, Epidemiology, and End Results) për të identifikuar 144,524 gra të diagnostikuara me DCIS nga viti 1995, deri në 2014-tën. "Rezultati kryesor ishte vdekja nga kanceri i gjirit dhe koha mesatare e ndjekjes prej 9.2 vjetësh", shkruajnë autorët, duke specifikuar se 1,540 gra vdiqën nga kanceri invaziv i gjirit, një numër shumë më i lartë se 458 vdekje të vlerësuara në një numër ekuivalent moshataresh pa kancer në popullatën e përgjithshme.
Raporti i standardizuar i vdekshmërisë (SMR) për vdekjen me shkak kancerin e gjirit midis grave me DCIS ishte 3.36 dhe rreziku i shtuar i vdekjes vazhdoi për më shumë se 15 vjet pas diagnozës. "Në veçanti, kemi vërejtur një vdekshmëri më të lartë, pothuajse 10%, midis grave afro-amerikane dhe atyre nën 40 vjeçe", vazhdon studiuesi, duke shtuar se për të studiuar shkallën e vdekshmërisë për DCIS-në, duke qenë se numrat janë tepër të ulët, është e nevojshme të përdoret një bazë më e madhe të dhënash. "Kur diagnostikohen me DCIS, pacientët duhet të dinë se cilat janë opsionet e ndryshme të trajtimit dhe shanset e rikthimit. Një operacion kirurgjik siguron pacienten, por nuk i ndryshon mbijetesën", përfundojnë autorët.
Duke komentuar artikullin, Stephanie Bernik, drejtoreshë e Kirurgjisë së Gjirit në Nju Jork, thotë: "Nuk është diçka e re që diagnoza e DCIS-it rrit rrezikun e kancerit të gjirit dhe me bazën e të dhënave Seer, nuk kemi asnjë informacion mbi statusin gjenetik, historinë familjare dhe faktorë të tjerë të rrezikut, përfshirë gratë që kishin përjashtuar radioterapinë me escizion duke ulur mundësitë e përsëritjes". Berniku përfundon: "Pavarësisht nga kufizimet e tij, studimi përsërit se DCIS-ja është një sëmundje klinikisht e vështirë, shumëplanëshe dhe shpesh, më pak e përcaktuar sesa tumoret invazive. Kohët e fundit, është shfaqur tendenca për të reduktuar terapinë e DCIS-it, por këto rezultate mund të ndryshojnë kartat në tryezë".
Jama Network Open 2020. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2020.17124
http://dx.doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2020.17124