mar92022
Shtatzënia. Analgjezia neuroaksiale në lindje, përmirëson rezultatet e shëndetit të nënës
Përdorimi i analgjezisë neuroaksiale për lindjen vaginale lidhet me një reduktim prej 14% të rrezikut të sëmundshmërisë së rëndë së nënës, pjesërisht për shkak të reduktimit të gjakderdhjes pas lindjes, sipas një studimi të publikuar në JAMA Network Open. "Analgjezia neuroaksiale mund të lehtësojë vlerësimin dhe menaxhimin e hershëm të fazës së tretë të lindjes për të shmangur përshkallëzimin e hemorragjisë pas lindjes në komplikacione të rënda dhe vdekje", thotë Jean Guglielminotti (Universiteti i Kolumbias), autori i parë i studimit. Për të ekzaminuar lidhjen midis analgjezisë neuroaksiale të lindjes dhe sëmundshmërisë së rëndë të nënës në Shtetet e Bashkuara, studiuesit analizuan më shumë se 575,000 lindje vaginale që ndodhën në spitalet e Nju Jorkut, në periudhën 2010-2017 dhe zbuluan se rreth gjysma (47.4 %) e grave kishin bërë epidurale gjatë lindjes.
Ekspertët u fokusuan në sëmundshmërinë e rëndë të nënës, duke përfshirë në analizë 16 komplikacione, të tilla si insuficienca kardiake dhe sepsisi dhe pesë procedura, duke përfshirë histerektominë dhe ventilimin. Gjithashtu, ata morën parasysh karakteristikat dhe sëmundjet bashkëshoqëruese të pacientes, si dhe faktorët e lidhur me spitalin, për të identifikuar gratë më të rrezikuara për lëndim ose vdekje. Nga 7712 gra me sëmundshmëri të rëndë, 35.6% kishin hemorragji pas lindjes. Incidenca e përgjithshme e sëmundshmërisë së rëndë materne ishte 1.3% mes grave që morën një injeksion epidural dhe 1.4%, midis atyre që nuk e kishin bërë këtë.
Kështu, rezultatet tregojnë se rritja e përdorimit të analgjezisë epidurale ose të kombinuar spinale-epidurale mund të përmirësojë rezultatet e shëndetit të nënës, veçanërisht për gratë hispanike, ato me ngjyrë dhe të pasiguruara, të cilat kanë më pak gjasa se gratë e bardha për të bërë këto ndërhyrje. Në një editorial shoqërues, Evelina Pankiv, Alan Yang dhe Kazuyoshi Aoyama, nga Universiteti i Torontos dhe Spitali i Torontos për Fëmijët e Sëmurë, thonë se shtimi i aksesit në analgjezinë neuroaksiale të lindjes për lindjen vaginale mund të përmirësojë vërtet rezultatet materne dhe mund të jetë një strategji për t'u ndjekur në politikat e shëndetit publik.
"Ndërhyrja është relativisht e sigurt dhe mund të lehtësojë shqetësimin dhe ankthin", përfundojnë redaktorët.
JAMA Network Open. 2022. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2022.0137
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2022.0137
JAMA Network Open. 2022. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2022.0142
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2022.0142