qer272022
Rreziku i sëmundjeve mendore pas lindjes është më i lartë te gratë me subfertilitet
Nënat me subfertilitet të hershëm janë më të rrezikuara për sëmundje mendore pas lindjes sesa ato që kanë mbetur shtatzënë në mënyrë spontane, sipas një studimi të botuar në Canadian Medical Association Journal, me autore kryesore Natalie Dayan (McGill University Health Center, Montreal, Canada).
"Me infertilitet nënkuptojmë pamundësinë për ta çuar shtatzëninë deri në fund, ndërsa steriliteti është pamundësia për ta nisur atë. Nga ana tjetër, shprehja subfertile do të thotë se pavarësisht fertilitetit të kufizuar, ekziston mundësia e shtatzënisë spontane", shpjegon studiuesja, duke theksuar se nuk dihet nëse trajtimi i subfertilitetit apo infertilitetit predispozon për sëmundje mendore pas lindjes. Për të sqaruar këtë, autorët regjistruan subjekte pa sëmundje mendore që lindën në Ontario në periudhën 2006-2014, duke i shtresëzuar ato në: subfertilitet i patrajtuar, ose infertilitet i trajtuar me inseminim intrauterin, me fekondim in vitro ose pa ndihmë për riprodhim. Treguesi kryesor ishte fillimi i sëmundjes mendore brenda 365 ditëve pas lindjes: çrregullime të humorit, ankth, psikozë, përdorim të substancave, vetëdëmtim ose çrregullime të tjera mendore.
"Studimi përfshiu 786,064 lindje, nga të cilat 78,283 nga gra subfertile të patrajtuara, 9,178 nga gra infertile me trajtim joinvaziv, 9,633 nga gra me trajtim invaziv dhe 688,970 nga gra pa ndihmë riprodhuese", thuhet në artikull, në të cilin shpjegohet gjithashtu se si krahasuar me incidencën e sëmundjeve mendore në rastet e ngjizjes spontane (60.8 për 1000 lindje), te gratë infertile të patrajtuara (62.1 për 1000 lindje) dhe te gratë infertile të trajtuara në mënyrë joinvazive, incidenca ishte më e lartë, përkatësisht, 60.8 dhe 65.8 për 1000 lindje.
"Nga këto të dhëna rezulton se gratë me histori të subfertilitetit kanë një rrezik pak më të lartë për sëmundje mendore pas lindjes sesa ato pa subfertilitet. Edhe pse lidhja është modeste dhe ndoshta jo shkakësore, ajo gjithsesi mund të identifikojë një grup që meriton një mbikëqyrje më të afërt përsa i përket shëndetit mendor", thotë Dayani.
"Mbetet për t'u parë nëse ky nëngrup mund të kërkojë burime të zgjeruara për të optimizuar shëndetin mendor në peri-partum. Studimet e ardhshme duhet të eksplorojnë gjithashtu aksesin në trajtimet e infertilitetit nga ato që planifikojnë shtatzëni dhe që kanë sëmundje mendore paraekzistuese", përfundon autorja.
Canadian Medical Association Journal 2022. Doi: 10.9778/cmajo.20210269
https://doi.org/10.9778/cmajo.20210269