sht72022
Migrena. Më e zakonshme te gratë që iu nënshtrohen trajtimeve të fertilitetit. Ja, pse
Trajtimi i fertilitetit te gratë me migrenë lidhet me një rritje të shpeshtësisë së dhimbjeve të kokës. Këto janë rezultatet paraprake të një studimi prospektiv i cili ka treguar se gratë me një histori të mëparshme klinike të migrenës shohin sulme të shtuara kur i nënshtrohen trajtimeve hormonale për fertilitetin në krahasim me gratë pa këtë patologji.
Një numër në rritje i grave përballen me probleme të infertilitetit, pjesërisht për shkak të shtatzënisë së vonuar, e cila po çon në rritjen e kërkesës për ndihmë për fertilitetin. Epidemia e vazhdueshme e obezitetit në shumë vende perëndimore mund të luajë gjithashtu një rol në infertilitet. Megjithatë, numri në rritje i trajtimeve për të mbetur shtatzënë sjell me vete një sërë problemesh. Hormonet luajnë një rol të rëndësishëm në patofiziologjinë e migrenës te gratë dhe luhatjet e niveleve të estradiolit gjatë ciklit menstrual mund të ndikojnë në shpeshtësinë e sulmeve. "Mega-doza" e estrogjenit që marrin gratë krijon një rritje të madhe dhe më pas një rënie të shpejtë të këtij hormoni që mund të jetë përgjegjës për përkeqësimin e dhimbjeve të kokës gjatë trajtimit të fertilitetit.
Studiuesit, me në krye Joseph Safdieh (Weill Cornell Medicine, New York) dhe Jasmin M. Harpe, (Mass General Brigham, Boston), u përpoqën të hetonin ndërlikimet që lidhen me migrenën dhe dhimbjet e kokës.
Studiuesit kryen teste specifike për të vlerësuar statusin e migrenës te gratë të cilat ishin duke planifikuar t'i nënshtrohen trajtimit të fertilitetit. Më pas pjesëmarrëset plotësuan pyetësorin DASS-21, në të cilin u pyetën për të përzierat, ndjeshmërinë ndaj dritës dhe aktivitetet e jetës së përditshme, shkallën e depresionit, ankthit dhe stresit. Në studim u përfshinë 28 gra me migrenë dhe 42 pa migrenë (mosha mesatare, 37 vjeç), të cilat të gjitha iu nënshtruan fertilizimit in vitro ose ngrirjes së vezëve/embrionit.
Rreth 75% e grupit të migrenës dhe 65% e grupit të kontrollit kishin marrë trajtim për fertilitetin në të kaluarën. Përveç kësaj respektivisht, 81% dhe 37% përjetuan dhimbje koke me trajtimin e mëparshëm për fertilitetin. Rreth 77% e grupit të migrenës raportuan se kishin migrenë menstruale kundrejt 11% të grupit të kontrollit.
Rezultati primar i studimit ishte ndryshimi në frekuencën e sulmeve të migrenës, i matur nga Headache-Attributed Lost Time (HALT 30). Matjet u regjistruan në tre pika kohore: para trajtimit (bazë), gjatë trajtimit dhe pas trajtimit. Të gjitha gratë iu nënshtruan trajtimeve me estrogjen për të stimuluar ovulacionin.
Rezultatet treguan se gratë me migrenë kishin një ngarkesë dukshëm më të madhe të dhimbjes së kokës sesa ato pa këtë sëmundje. Në grupin e migrenës, rezultatet mesatare të HALT 30 ishin 4.52 para trajtimit, 5.7 gjatë trajtimit dhe 6.95 pas trajtimit. Normat u rritën gjithashtu edhe në grupin e kontrollit, por jo shumë, me rezultate nën 1.
"Gjetjet nënvizojnë rëndësinë e identifikimit dhe monitorimit të këtyre pacienteve. Mjekët duhet të këshillojnë gratë me migrenë të cilat i nënshtrohen trajtimit të infertilitetit të monitorojnë shpeshtësinë e sulmeve të tyre të migrenës gjatë trajtimit dhe, nëse gjërat ndryshojnë, ata duhet të jenë proaktive në sigurimin që pacientët të kenë në dispozicion terapitë e duhura, në mënyrë që të mos vuajnë në mënyrë të panevojshme", përfundojnë autorët.