sht132022
Ndryshime të shpeshta në ciklin menstrual për shkak të Covid-19
Sipas një rishikimi të literaturës të botuar në Journal of Clinical Medicine, gratë mund të kenë një cikël më të zgjatur menstrual dhe ulje të vëllimit të menstruacioneve pas infektimit nga COVID-19, pavarësisht nga ashpërsia e sëmundjes.
"Janë kryer kërkime të gjera mbi Covid-19 dhe efektet e tij në sistemin respirator, atë nervor dhe të qarkullimit të gjakut; megjithatë, ndikimi i tij në sistemin riprodhues është relativisht më pak i njohur", shpjegon autorja kryesore e studimit Vojka Lebar nga Universiteti i Lubjanës në Slloveni.
Studiuesit hulumtuan Medline, Cochrane Library dhe Scopus dhe gjetën tre studime të përshtatshme që mund të sqaronin situatën. Njëri nga punimet ekzaminoi efektet e infeksionit SARS-CoV-2 për ndryshimet në hormonet seksuale dhe menstruacionet te 237 gra në moshë riprodhimi pa parregullsi të mëparshme menstruale. Nga këto gra, 90 prej tyre kishin pasur Covid-19 të rëndë, dhe pjesa tjetër forma më të lehta. Gati 20% e pjesëmarrëseve kishin një rënie të konsiderueshme në vëllimin e menstruacioneve, pa dallime të rëndësishme ndërmjet rasteve të lehta dhe atyre më të rënda. Një e pesta e grave raportuan cikle menstruale të zgjatura në krahasim me gjatësinë e ciklit menstrual të tyre para infeksionit. Gjatësia e ciklit menstrual dhe vëllimi i menstruacioneve ndryshonin ndjeshëm midis grave të infektuara dhe atyre të pa infektuara, edhe pse studimi arriti në përfundimin se ndryshimet ishin të përkohshme.
Një studim tjetër, i kryer në Kinë, vlerësoi lidhjen midis funksionit të vezoreve dhe Covid-19, dhe përfshiu 78 gra mbi 50 vjeç. Pacientet me Covid-19 të rëndë kishin amenorre më të lartë, cikle të parregullta, vëllim menstrual dhe dhimbje krahasuar me rastet jo të rënda, megjithëse diferencat nuk ishin statistikisht domethënëse.
Studimi i tretë përfshiu 127 paciente me Covid-19 ndërmjet 18-45 vjeç. Midis tyre, 20 gra raportuan ndryshime në ciklin menstrual nëpërmjet një pyetësori. Ndryshimet e zakonshme përfshinin: menstruacione të parregullta, menstruacione të dobëta dhe rritje të simptomave të sindromës premenstruale. Pacientet me ndryshime të ciklit menstrual kishin më shumë gjasa të përjetonin simptoma të Covid-19 si lodhje, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje koke dhe veçanërisht dhimbje muskujsh.
Journal of Clinical Medicine 2022. Doi: 10.3390/jcm11133800
https://doi.org/10.3390/jcm11133800