Gjinekologji

tet32022

Kanceri i gjirit në Shqipëri. 715 raste të reja gjatë vitit 2021. Dr. Alban Ylli: Bëni mamografi, ekoja e gjirit nuk është e nevojshme

1 në 8 gra preken nga kanceri i gjirit në Shqipëri ndërkohë që ka një tendencë në rritje të shpeshtësisë së prekjes grave nga kjo sëmundje e cila nëse kapet në kohë shpëton jetën e një gruaje. Në Institutin e Shëndetit Publik, dr. Alban Ylli ka publikuar shifrat e reja për vitin 2021.

"Kanë rezultuar 715 raste të reja të prekur nga kanceri i gjirit. Dhe kjo vetëm për vitin 2021. Në bazë të analizave që kryhen në ISHP, vihet re një tendencë në rritje të lehtë të incidencës. Por ndërkohë ka një shtim me gati 30% të shtrimeve në spital. Kjo tregon që falë ndërgjegjësimit rastet po diagnostikohen më shumë dhe po rritet aksesi edhe në shërbimet shëndetësore", shprehet dr. Ylli.

Viti i parë i pandemisë bëri që e gjithë vëmendja të ishte te Covid dhe nga ana tjetër gratë nuk shkonin për t'u diagnostikuar. Kjo bëri që 80 gra të moshës 40-50 vjeç të mos diagnostikohen në kohë.

Por në fakt, kur duhet që një vajzë të kujdeset për gjirin e saj? Kur duhet të bëjë ajo mamografinë e parë?

"Një vajzë duhet të fillojë që në moshën 20 vjecare të vetkontrollojë gjirin e saj nëpërmjet palpimeve me dorë. Në moshën 30 vjeçare duhet të paraqitet te mjeku apo infermierja e kualifikuar për një kontroll fizik. Ndërsa në moshën 50 vjeç duhet të bëjë një mamografi. Ndërsa një vajzë apo grua që ka në historinë e familjes së saj sëmundjen e kanceri të gjirit duhet ta bëjë mamografinë e parë në moshën 40 vjeçare", këshillon dr. Alban Ylli.

Sipas statistikave në Shqipëri përllogariten që 10% e grave që preken nga kanceri i gjirit ta kenë të trashëguar gjenetikisht.

Por, a duhet që një grua bashkë me mamografinë të bëjë edhe një eko të gjirit?

"Nuk ka fakte shkencore që provojnë që ekoja përdoret për depistimin e kancerit të gjirit. Vetëm programi i depistimit me mamografi ka rezultuar efikas", shpjegon dr. Alban Ylli.

"Faktorët e riskut të kancerit të gjirit te gratë lidhen me shëndetin riprodhues dhe ushqyerjen. Gratë sot janë limituar në numrin e lindjeve të fëmijëve. Nga ana tjetër edhe rritja e obezitetit në moshën 50 vjeç e lart shikohet si një ndër shkaqet e kancerit të gjirit", theksoi Alban Ylli i pyetur nga Doktor33.

Mosha që prek më shumë kanceri i gjirit është ajo 50-60 vjeç edhe pse nuk përjashtohen rastet në mosha fare të reja. Gjate vitit 2021 humbën jetën 225 gra për shkak të kancerit të gjirit. Ndaj edhe pse jo vetëm në tetor, të paktën fjongoja rozë të kujtojë çdo grua dhe bashkëshortin e saj se duhet bërë kontrolli për kancerin gjirit.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>