tet302019
Lezionet pulmonare të shkaktuara nga cigarja elektronike. Udhëzimet klinike për menaxhimin e pacientëve
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), kanë botuar në "Morbidity and Mortality Weekly Report" një udhëzues klinik të përkohshëm dhe të përditësuar për menaxhimin e lezioneve pulmonare të lidhura me përdorimin e cigares elektronike, për të cilat kanë krijuar termin "EVALI" (e-cigare, ose vaping, përdorim i produktit i lidhur me sëmundjet e dëmtimin e mushkërive).
"Është e vështirë të theksohet sa duhet serioziteti i këtyre lezioneve pulmonare që lidhen me përdorimin e cigareve elektronike. Ky është një problem kritik dhe ne duhet të ndërmarrim hapa për të parandaluar raste të mëtejshme, ndërkohë që përpiqemi të kuptojmë më shumë", shpjegon Anne Schuchat, nga CDC-ja. Udhëzuesi i mëparshëm, i botuar në gusht, bazohej vetëm në të dhëna të kufizuara nga rastet e para të raportuara, ndërsa dokumenti aktual përpunon informacione nga një numër shumë më i gjerë çështjesh. Duke u nisur nga njohuritë më të fundit, udhëzuesi ofron një referencë për mjekët në lidhje me testet fillestare, vlerësimin dhe ekzaminimet radiologjike, menaxhimin dhe ndjekjen te pacientët me simptoma të EVALI-t.
CDC-ja raporton se shumica dërrmuese e pacientëve (95%) vuanin nga simptoma të frymëmarrjes, si: frymë e shkurtër, kollë ose dhimbje në gjoks dhe 77% vuanin nga simptoma gastrointestinale, si marrje mendsh, të vjella dhe diarre. Pothuajse gjysma, duhet të transferoheshin në një njësi të kujdesit intensiv dhe 22% kishin nevojë për ventilim mekanik. Ekspertët theksojnë rëndësinë e pranisë së udhëzimeve për shtrimin e trajtimin në spital dhe informacione e kohën specifike në lidhje me ndjekjen, madje edhe për pacientët që kanë dalë nga spitali, pasi disa individë që fillimisht kishin patur simptoma të lehta, kanë shfaqur më vonë një përkeqësim të shpejtë brenda 48 orëve. Sipas autorëve, një pjesë thelbësore e kujdesit gjatë shtrimit në spital është që pacientëve t'u thuhet të reshtin përdorimin e cigareve elektronike.
Si përfundim, CDC-ja thekson se kur profesionistët e kujdesit shëndetësor vlerësojnë pacientët me simptoma të frymëmarrjes ose gastrointestinale, ata duhet të marrin parasysh shkaqe të shumta, përfshirë EVALI-n dhe duhet t'u kërkojnë të gjithë pacientëve informacion për një përdorim të mundshëm të cigareve elektronike.
MMWR Morb Mortal Wkly Rep. 2019. Doi: 10.15585/mmwr.mm6841e3
http://dx.doi.org/10.15585/mmwr.mm6841e3