kor312024
Rreziqet e mediave sociale për gjumin e adoleshentëve. Ja, çfarë duhet të bëni
Përdorimi i mediave sociale po përhapet gjithnjë e më shumë dhe marrja e vazhdueshme e njoftimeve me përdorimin e smartfonëve edhe gjatë natës, mund të rrezikojë shëndetin e gjumit, veçanërisht te të rinjtë.
Surgeon General në SHBA rekomandoi futjen e etiketave paralajmëruese në platformat e mediave sociale, duke shtuar shqetësimin mbi ndikimin që këto të fundit mund të kenë në shëndetin mendor të të rinjve. Ata kanë evidentuar edhe lidhjet e mundshme ndërmjet përdorimit të mediave sociale dhe cilësisë së dobët të gjumit te të rinjtë. Por çfarë veprimesh specifike mund të kryejnë adoleshentët dhe prindërit për përmirësimin e gjumit përballë këtyre shqetësimeve?
Në një studim të ri, të publikuar në Journal of Adolescent Health, janë përfshirë disa udhëzime mbi sjelljet që mund të përmirësojnë gjumin.
Detajet e studimit
Studiuesit analizuan të dhënat e 9.398 fëmijëve në moshën para adoleshencës (11-12-vjeçarë), të cilët bëjnë pjesë në studimin Adolescent Brain Cognitive Development, studimi më i madh afatgjatë mbi zhvillimin cerebral dhe shëndetin gjatë fëmijërisë në SHBA.
Adoleshentët dhe prindërit e tyre u janë përgjigjur pyetjeve mbi zakonet e tyre të gjumit dhe të rinjtë u pyetën mbi përdorimin e ekraneve dhe mediave sociale në shtrat. Një e katërta e fëmijëve në moshën para adoleshencës raportuan çrregullime me gjumin. 16.2% raportuan se ishin zgjuar nga telefonatat, mesazhet ose email-et gjatë gjumit, të paktën njëherë gjatë javës së fundit. Gjithashtu, 19.3% raportuan se përdornin telefonin, ose një pajisje tjetër nëse zgjoheshin gjatë natës.
"Është shumë e rëndësishme të sigurohemi që adoleshentët flenë mjaftueshëm, pasi kjo ndikon në rritjen dhe zhvillimin fizik dhe mendor të tyre. Nga studimi ynë u zbulua se mosbllokimi i njoftimeve, edhe në modalitetin e heshtur, të bëjnë të flesh më pak, krahasuar me fikjen e telefonit dhe mosmbajtja e tij në dhomën e gjumit", pohon profesori i asociuar në Universitetin e Kalifornisë, Jason Nagata.
"Adoleshentët mund të jenë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj njoftimeve të telefonit, duke u zgjuar pothuajse menjëherë kur dëgjojnë telefonin. Edhe nëse telefoni është në modalitetin e heshtur, ose me dridhje, adoleshentët mund ta kontrollojnë gjithsesi gjatë natës. Sapo të fillojnë të lexojnë ose t'u përgjigjen mesazheve, mund t'u dalë akoma më shumë gjumi e të bëhen aktivë", thekson ai.
Adoleshenca është një periudhë zhvillimi angazhuese për shumë prej tyre, për shkak të presionit social dhe ndryshimeve fizike, psikologjike dhe emocionale me të cilat përballen. Të kuptuarit e këtij procesi dhe të qenit aty për mbështetjen e të rinjve në përdorimin e mediave sociale është shumë e rëndësishme.
Këshillat për përmirësimin e gjumit
Ja, disa sugjerime të studimit për përmirësimin e cilësisë së gjumit te adoleshentët:
- Mos i mbani pajisjet elektronike në dhomë. Të pasurit e një televizori, apo një pajisjeje të lidhur me internetin në dhomën e gjumit, lidhet me një kohëzgjatje gjumi më të shkurtër.
- Fikeni telefonin . Lënia e telefonit ndezur, apo në modalitetin e heshtur ose me dridhje lidhej me një sasi më të pakët gjumi, krahasuar me fikjen e tij. Telefoni i ndezur gjatë natës lidhej edhe me 25% më shumë rrezik për çrregullime të gjumit, sesa në modalitetin e fikur.
- Mos përdorni mediat sociale ose pajisjet e tjera elektronike përpara se të shkoni për të fjetur. Përdorimi i mediave sociale, komunikimi në internet, luajtja e videolojrave, lundrimi në internet dhe ndjekja e filmave, videove ose programeve televizive në shtrat përpara gjumit, lidheshin të gjitha me një sasi të pakët gjumi.
- Nëse zgjoheni gjatë natës, mos e përdorni telefonin apo mediat sociale. Një e pesta e adoleshentëve raportoi se e kishin përdorur telefonin apo një pajisje tjetër elektronike pas zgjimit gjatë natës. Kjo lidhej me më një sasi më të pakët gjumi.
Përfundimet
Ky studim thekson rëndësinë e menaxhimit të kujdesshëm të përdorimit të ekraneve dhe mediave sociale nga adoleshentët, me qëllim përmirësimin e cilësisë së gjumit, i cili është thelbësor për zhvillimin e tyre të përgjithshëm. Prindërit dhe adoleshentët nxiten të marrin masa konkrete për reduktimin e ekspozimit ndaj ekraneve përpara gjumit ose gjatë natës, duke nxitur kështu një gjumë më të shëndetshëm e më rigjenerues.