maj312024
Rrjetet sociale. SIP: ndikojnë negativisht edhe te 19-vjeçarët
Në moshën 19-vjeçare ne bëhemi më të brishtë dhe më të dobët në botën e rrjeteve sociale dhe internetit. Kjo ndodh si në moshën e adoleshencës, me ndryshimin që në moshën 19-vjeçare, ndikimi negativ prek si femrat, ashtu edhe meshkujt. Përveç moshës, efektet anësore të mediave sociale varen edhe nga një mjedis familjar jo funksional, nga problemet e lidhura me ndonjë paaftësi, nga shëndeti mendor, ose nga ndjesia e vetmisë dhe e izolimit social. Domethënë, aty ku mungojnë faktorët rregullues për përdorim të tepruar, si të jashtëm ashtu edhe të brendshëm, shtohet rreziku për varësi ndaj rrjeteve sociale si dhe ndaj disa lojërave online. Në një analizë të kryer nga një grup studiuesish ndërkombëtarë është studiuar ndikimi i rrjeteve sociale dhe internetit në përgjithësi, në jetën dhe shëndetin mendor të përdoruesve.
"Lidhja me rrjetin e internetit është kudo, edhe pse e padukshme, aq sa studiuesit prej vitesh janë përpjekur të vlerësojnë efektet në aftësinë e vëmendjes, në proceset e kujtesës dhe në aftësitë njohëse shoqërore, pa rezultate të veçanta. Në veçanti të rinjtë, të cilët, sipas një studimi të kryer mbi 1.453 individë, në 50% të rasteve përshkruhen si "gjithmonë online". Gjithashtu, sipas një studimi të kryer në Universitetin e Pizës, ka rezultuar se edhe përdorimi patologjik i lojërave kompjuterike, me të cilat kjo gjeneratë luan shpesh online, lidhet me një tendencë më të madhe për t'u tërhequr nga jeta shoqërore dhe për sjellje të ngjashme hikikomori (tërheqje e ashpër nga jeta shoqërore)", shpjegon presidentja e Shoqatës Italiane të Psikiatrisë (SIP), Liliana Dell'Osso.
Përtej rreziqeve të lidhura me bullizmin kibernetik, lojrat online dhe me ekspozimin ndaj materialit pedopornografik, literatura shkencore mbi ndikimin e internetit dhe rrjeteve sociale është kontradiktore. Në disa studime demonizohet përdorimi dhe rreziku manipulues, ndërsa në disa të tjera theksohet potenciali i antistigmës, roli lehtësues i lidhjeve dhe mbështetja e bashkëmoshatarëve.
Në çdo rast, janë të shumtë faktorët që shtojnë ndikimin e internetit. Në një studim të marrë në konsideratë në analizën e publikuar në Nature Communications, referohet se vajzat i përdorin më tepër rrjetet sociale para adoleshencës, në moshën 11-13-vjeçare, ndërsa djemtë në moshën 14-15-vjeçare. Të dyja grupet shfaqin një ndjeshmëri të veçantë në fund të periudhës së adoleshencës, sapo mbushin 19 vjeç.
Disa platforma, më shumë se disa të tjera, janë vërejtur si promovuese të përdorimit të detyrueshëm të tyre, përmes mesazheve reklamuese ad hoc, njoftimeve të vazhdueshme, lehtësimeve, si lundrimi automatik, të cilat nxisin kënaqësinë nga rrjetet sociale, duke reduktuar kohën e punës, të marrëdhënieve e të studimit.
"Pra, në analizë thuhet se ndikimi i internetit dhe rrjeteve sociale në shëndetin mendor të përdoruesve është më pak i thjeshtë dhe më i ndërlikuar nga sa mendojmë. Përdorimi i internetit dhe i rrjeteve sociale nuk është një përvojë unike, por ndryshon në bazë të karakteristikave sociodemografike, psikologjike dhe të sjelljeve individuale, si dhe në bazë të konteksteve dhe situatave të ndryshme. Në kompleks, rezultatet e kësaj analize sugjerojnë një të kuptuar më me nuanca e më të individualizuar të ndikimit të internetit në funksionimin psikologjik, konjitiv dhe shoqëror. Për këtë arsye, jemi të bindur për nevojën që studimi, udhëzimet dhe iniciativat e ardhshme duhet të nxisin një qasje ndërdisiplinore dhe shumëdimensionale, me qëllim përballimin e problemit të avantazheve dhe disavantazheve të ndërveprimeve tona me botën online", përfundojnë autorët.