Mjekësi e përgjithshme

qer252024

Cigaret elektronike njëpërdorimshe janë shumë të përhapura te të rinjtë

Përdorimi i cigareve elektronike njëpërdorimshe po shënon rritje konstante te të rinjtë në Mbretërinë e Bashkuar, sipas të dhënave nga një studim i publikuar në revistën shkencore Addiction. Në studim evidentohet se të rinjtë tërhiqen nga këto pajisje për shkak të një sërë arsyesh, të tilla si: çmimi i përballueshëm, lehtësia në përdorim dhe shumëllojshmëria e shijeve të disponueshme.

Në studim u përfshinë 29 të rinj në moshat 16-20-vjeçare, të cilët u intervistuan veç e veç, në grup dhe në çifte. Ata ndanë përvojat dhe perceptimet e tyre mbi përdorimin e cigareve elektronike njëpërdorimshe. Rezultatet treguan se përballimi nga ana ekonomike, disponueshmëria dhe pamja estetike tërheqëse e cigareve elektronike, janë faktorët kryesorë që favorizojnë përdorimin nga të rinjtë. Gjithashtu, rezultoi se shumë të rinj e kombinojnë përdorimin e cigareve tradicionale me cigaret elektronike në bazë të kontekstit shoqëror, shpesh duke nënvlerësuar rreziqet që lidhen me "vaping", krahasuar me duhanpirjen.

Nga të dhënat e grumbulluara, rezultoi se 69% e pjesëmarrësve i përdor çdo ditë cigaret elektronike njëpërdorimshe, ndërsa 52% konsumojnë edhe duhanin. Çmimi i kënaqshëm dhe lehtësia në përdorim janë ndër arsyet që i shtyjnë të rinjtë drejt këtyre pajisjeve, edhe pse disa pjesëmarrës shfaqën shqetësim mbi ndikimin në mjedis për shkak të asgjësimit të baterive dhe plastikës.

Një tjetër aspekt ishte edhe përdorimi i cigareve elektronike për menaxhimin e stresit dhe ankthit. Shumë të rinj pohuan se i shohin cigaret elektronike si një mjet për të përballuar situata stresuese, si provimet e shkollës, apo problemet familjare.

Rezultatet e studimit sugjerojnë se cigaret elektronike njëpërdorimshe perceptohen si produkte për të rinj, me një komponent të fortë social. Përdorimi i këtyre cigareve shihet si një aktivitet grupi, që shpesh praktikohet nën shoqërinë e miqve dhe lidhet me një farë identiteti grupi.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>