kor162024
SIMA: Temperaturat e larta mund të shkaktojnë dëmtime në organet jetësore dhe në tru
"I nxehti i tepërt shkakton probleme shëndetësore, pasi mund të ndryshojë sistemin e rregullimit të temperaturës së trupit. Trupi i njeriut ftohet përmes djersitjes, por në disa kushte mjedisore të caktuara kjo nuk është e mjaftueshme: lagështia e tepërt nuk lejon që djersa të ekskretohet, duke bërë që temperatura e trupit të rritet me shpejtësi, aq sa mund të dëmtojë organet jetësore dhe trurin", pohon presidenti i Shoqatës Italiane të Mjekësisë Mjedisore (SIMA), Alessandro Miani. Temperaturat jashtëzakonisht të larta mund të shkaktojnë çrregullime të lehta si ngërçet, gjendjet e të fikëtit, edemat, por edhe probleme të rënda, duke filluar që nga kongjestioni në dehidratim, duke rënduar gjendjen shëndetësore të patologjive kronike paraekzistuese.
Më specifikisht, ndër çrregullimet që lidhen me të nxehtin, më të shpeshtat janë insolacioni, që përbëhet nga eritema dhe djegie, të shoqëruara nga një simptomatologji analoge; termoplegjia, si ngërçet, të cilat janë dhimbje fizike të shkaktuara nga humbja e natriumit për shkak të djersitjes dhe nga ndryshimi i mëpasshëm i ekuilibrit ujë-kripë; edema e shkaktuar nga grumbullimi i lëngjeve në gjymtyrët e poshtme, si pasojë e një vazodilatacioni periferik të zgjatur; kongjestion i shkaktuar nga konsumi i pijeve të ngrira në një organizëm të mbinxehur, me simptoma që fillojnë nga djersitja e deri te dhimbja torakale; dehidratimi, me simptoma të përgjithshme si etja, pafuqia, marramendjet, palpitacionet, ankthi, lëkura dhe mukozat e thata, ngërçe muskulore, tension arterial i ulët. Termoplegjia zhvillohet kur kapaciteti fiziologjik i rregullimit të temperaturës nuk funksionon siç duhet dhe ajo shfaqet me një shkallëzim të gjerë të shenjave dhe simptomave në bazë të ashpërsisë së patologjisë. Simptoma e parë është një gjendje e papritur dobësie e shëndetit në përgjithësi, duke u pasuar nga dhimbja e kokës, të përzierat, të vjellat dhe ndjesia e marramendjes, si dhe gjendjet e ankthit dhe të konfuzionit.
SIMA ofron një listë me disa këshilla praktike për t'u mbrojtur nga nxehtësia, të tilla si:
• Shmangni ekspozimin ndaj të nxehtit dhe diellit të drejtpërdrejtë dhe dilni nga shtëpia vetëm në orët më të freskëta;
• Krijoni një ambient të përshtatshëm për qarkullimin e ajrit në shtëpi dhe nxisni ventilimin natyral;
• Mbajini dhomat e freskëta duke errësuar dritaret që ekspozohen ndaj diellit (duke përdorur grila, apo perde);
• Mbyllini dritaret gjatë ditës dhe hapini gjatë orëve më të freskëta (në mbrëmje dhe natën);
• Bëni shpesh dush me ujë të vakët;
• Pini të paktën 1.5-3 litra ujë gjatë ditës, shmangni pijet alkoolike dhe konsumoni ushqime që përmbajnë shumë ujë, si perimet dhe frutat;
• Kur dilni nga shtëpia, mbrojini sytë me syze dielli dhe parandaloni djegiet me anë të kremrave me faktor të lartë mbrojtës;
• Vishni veshje me fije natyrale (lino dhe pambuk), si dhe veshje transpiruese, sidomos në ngjyra të hapura;
• Shmangni aktivitetin sportiv në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta.