Mjekësi e përgjithshme

gus22024

Orët smart shtojnë ankthin dhe përdorimin e shërbimeve shëndetësore. Ja, studimi

Përdorimi i një pajisjeje që vishet, si ora smart, për monitorimin e të dhënave shëndetësore dhe simptomave, duhet t'i ndihmojë njerëzit të mbajnë nën kontroll shëndetin e tyre dhe t'i përballojnë simptomat sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim arritjen e rezultateve pozitive. Megjithatë, për individët me fibrilacion atrial, e njohur edhe si AFIB, përdorimi i një pajisjeje që vishen për monitorimin e ritmit kardiak dhe për sinjalizimin e një rrahjeje të parregullt, mund të mos jetë aq e dobishme sa mendohet.

Një studim i publikuar në Journal of the American Heart Associaton, është i pari që demonstron se pajisjet që vishen, si orët smart, mund ta shtojnë ndjeshëm ankthin dhe të shtojnë përdorimin e shërbimeve shëndetësore te pacientët me AFIB.

Në studim u përfshinë 172 pacientë të diagnostikuar më parë me AFIB, të cilët kanë plotësuar një sondazh. Afro gjysma e kampionit të studimit mbante një pajisje që vishet dhe të dhënat e tyre u krahasuan me ato të individëve pa pajisje. U zbulua se pacientët me AFIB që përdornin pajisje që vishen, ishin më të prirur për t'u shqetësuar rreth simptomave të tyre kardiake, për të raportuar shqetësim në lidhje me trajtimin e AFIB dhe për përdorimin e burimeve shëndetësore, krahasuar me pacientët me AFIB pa këto pajisje. Janë ndikuar edhe ofruesit e shërbimeve shëndetësore dhe klinikat, pasi përdoruesit e këtyre pajisjeve ishin më të prirur të telefononin klinikën dhe t'u dërgonin mesazhe ofruesve të shërbimit shëndetësor, sesa individët që nuk i përdornin ato.

Gjithashtu, 1 pacient me AFIB nga 5 që përdornin pajisje që vishen, në këtë studim, kishin përjetuar frikë dhe ankth intensiv, si reagim ndaj njoftimeve të pajisjes së tyre për ritëm të parregullt. Pothuajse njësoj, një pjesë tjetër (20%) i kanë kontaktuar rregullisht mjekët e tyre, kur rezultatet e EKG-së ishin anormale, ose kur tregonin AFIB të mundshme. Megjithatë, nuk është e qartë nëse kishin vërtetë nevojë të vizitoheshin te mjeku për shkak të lajmërimeve të pajisjeve. Gjithashtu, nuk është e qartë as nëse ankthi i raportuar ka ndikuar në përkeqësimin e simptomave, edhe pse është një faktor i dokumentuar që ndikon në patologji të ndryshme, ndër të cilat edhe AFIB.

"Për shkak të shtimit të konsiderueshëm të përdorimit të pajisjeve që vishen në këtë grup pacientësh (dhe në popullsinë e përgjithshme), ne besojmë se studime perspektive dhe studime klinike të randomizuara janë të nevojshme për të kuptuar efektet neto të pajisjeve që vishen- përfshirë edhe të lajmërimeve të tyre- mbi përdorimin e shërbimeve shëndetësore dhe në mirëqenien psikologjike të pacientëve, si dhe efektet në rrjedhën e poshtme mbi ofruesit e kujdesit, spitalet dhe sistemet shëndetësore", përfundojnë autorët.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>