dhj172019
Infeksionet e veshit: FDA-ja aprovon sistemin e ri për inserimin e tubave timpanostomikë
Administrata Amerikane e Barnave dhe e Ushqimit (FDA) ka aprovuar një sistem që jep mundësi për pozicionimin e tubave timpanostomikë nën anestezi lokale te të rriturit dhe fëmijët nga gjashtë muaj e lart.
"Aprovimi u ofron pacientëve një opsion trajtimi të infeksioneve të përsëritura të veshit që nuk kërkojnë anestezi të përgjithshme", ka konfirmuar Jeff Shuren, drejtor i Qendrës për Pajisjet dhe Shëndetin Radiologjik në FDA, i cili ka shpjeguar se ky aprovim mund të zgjerojë qasjen e pacientëve ndaj trajtimit.
Sistemi Tula (Tubes Under Local Anesthesia) lejon vendosjen e një tubi timpanostomik në ambient ambulator, me anestezi lokale. Kjo është e mundur edhe për fëmijët e vegjël, për të cilët procedura është kryer tradicionalisht në ambient spitalor ose në një qendër kirurgjikale me anestezi të përgjithshme. Sistemi përfshin anestezikun Tymbion, tubat timpanostomikë Tusker Medical dhe disa pajisje të tjera të nevojshme për pozicionimin e tubit dhe anestetikut. Përmes një rryme të vogël elektrike, anestetiku lokal shpërndahet në vesh para futjes së tubit.
Miratimi vjen pas vlerësimit të të dhënave nga 222 pacientë pediatrikë. Shkalla e suksesit procedural ishte 86% te fëmijët nën 5 vjeç dhe 89%, te fëmijët e moshës 5 deri në 12 vjeç. Anestezia e pamjaftueshme gjatë procedurës ishte ngjarja anësore më e zakonshme. Tula System nuk indikohet për pacientët me probleme të mundshme para ekzistuese në nivelin e timpanit, siç është timpani i shpuar.
FDA - Press Announcements
https://www.fda.gov/news-events/press-announcements/fda-approves-system-delivery-ear-tubes-under-local-anesthesia-treat-ear-infection