Mjekësi e përgjithshme

kor72022

Pas menopauzës, nivelet e ulëta të hormoneve seksuale shtojnë mundësinë e gërhitjes dhe apnesë së gjumit

Gratë e moshës së mesme me nivele të ulëta estrogjeni dhe progesteroni kanë më shumë gjasa të gërhijnë dhe të raportojnë simptoma të apnesë obstruktive të gjumit. Në këtë përfundim,  ka arritur studimi i ri i publikuar në PLOS One, me autor kryesor Kai Triebner (Universiteti i Bergenit, Norvegji).

"Përhapja e apnesë obstruktive të gjumit është dukshëm më e lartë te gratë pas menopauzës. Megjithatë, asnjë studim i bazuar në popullatë nuk ka arritur të vlerësojë nëse kjo mund të ndodhë si pasojë e niveleve të ndryshuara të hormoneve seksuale", shpjegon Triebneri.

Për të plotësuar këtë boshllëk, studiuesit analizuan të dhënat e 774 grave të moshës 40-67 vjeç, të cilat morën pjesë në një studim për shëndetin respirator në Komunitetin Evropian, të kryer në shtatë vende të ndryshme në periudhën 2010-2012. Gratë në studim iu përgjigjën pyetësorëve në lidhje me shëndetin e tyre respirator, disa faktorëve të shëndetit femëror, stilit të jetesës dhe gjumit dhe siguruan mostra gjaku për testimin e hormoneve. Nga pjesëmarrëset e studimit, 551 prej tyre (71.2%) raportuan gërhitje dhe 411 raportuan simptoma të tjera të apnesë së gjumit.

Mes të gjitha grave, një dyfishim i përqendrimeve serike të estronit u shoqërua me një reduktim prej 19% në mundësitë e gërhitjes, ndërsa një dyfishim i niveleve të progesteronit u shoqërua me një ulje prej 9%.
Mes atyre që gërhisnin, një dyfishim i përqendrimeve të tre estrogjeneve (17-estradiol, estrone dhe estron 3-sulfat) u shoqërua me një reduktim prej 17%-23% në gjasat që gratë të marrin frymë të parregullt gjatë gjumit.

Një dyfishim i përqendrimit të progesteronit te gratë që raportuan gërhitje u shoqërua me një ulje prej 12% të gjasave për t'u zgjuar me një ndjesi mbytjeje. Autorët sugjerojnë se korrigjimi i niveleve të ndryshuara të hormoneve seksuale femërore mund të jetë një strategji për të reduktuar prevalencën dhe sëmundshmërinë e lartë të lidhur me apnenë obstruktive të gjumit, por besojnë se nevojiten studime të mëtejshme gjatësore për t'i konfirmuar këto gjetje.

"Hormonet seksuale femërore janë vendimtare për shëndetin dhe sëmundjet dhe veçanërisht pas menopauzës është mirë që të merret parasysh statusi hormonal për të zhvilluar strategji holistike për trajtimin", përfundojnë autorët.

 

PLOS One 2022. Doi: 10.1371/journal.pone.0269569
http://doi.org/10.1371/journal.pone.0269569


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>