kor152024
Emergjencat shëndetësore, nga gripi i shpendëve dhe Covid te Mpox. Udhëzimet e OBSH-së
Nga Covid-19, për të cilin rekomandohet që individët pjesë e grupeve më të rrezikuara, t'i nënshtrohen vaksinës brenda 12 muajve nga doza e fundit, te lija e majmunit (tashmë Mpox), një kërcënim për shëndetin botëror e deri te gripi i shpendëve. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, gjatë një konference shtypi në Gjenevë u shpreh mbi urgjencat shëndetësore në botë. Përsa i përket lisë së majmunit, epidemia në Republikën Demokratike të Kongos, nuk po shfaq shenja ngadalësimi, me më shumë se 11.000 raste të raportuara këtë vit dhe 445 të vdekur, nga të cilët, më të prekurit janë fëmijë. Së fundmi, në Afrikën e Jugut janë regjistruar 20 rase me li, përfshirë edhe tre të vdekur, të parat raste që prej vitit 2022. Infektimet u vërejtën te meshkujt dhe pjesa më e madhe e identifikoheshin si meshkuj që kishin marrëdhënie seksuale me meshkuj.
Përsa i përket Covid-19, Ghebreyesus shpjegoi që të dhënat tregojnë se vaksinimi kundër Covid-19 u reduktua te operatorët shëndetësorë dhe te individët mbi 60 vjeç, të cilët përbëjnë edhe dy grupet më të rrezikuara. OBSH rekomandon që individët, të cilët i përkasin grupeve më të rrezikuara, të imunizohen brenda 12 muajve nga doza e fundit. Covid-19, regjistron akoma mesatarisht 1.700 të vdekur çdo javë në botë. Tema e fundit e trajtuar nga kreu i OBSH-së ishte mbi gripin e shpendëve. Javën e kaluar në SHBA, u regjistrua rasti i katërt me H5N1, si pasojë e ekspozimit ndaj qumështit të lopëve të infektuara. Nga Kamboxhia u raportuan gjithashtu 2 raste të fëmijëve që kishin kontakt me pula të sëmura, ose të ngordhura. Për momentin, nuk është raportuar asnjë transmetim nga njeriu te njeriu dhe kjo është arsyeja pse OBSH vazhdon ta vlerësojë si të ulët rrezikun për popullatën. Megjithatë, kapaciteti për vlerësimin dhe menaxhimin e këtij rreziku ndikohet nga mbikëqyrja e kufizuar e viruseve të gripit të kafshëve në botë. Ndërsa, të kuptuarit se si përhapen dhe pësojnë mutacione këta viruse te kafshët, është thelbësor për identifikimin e ndryshimeve të mundshme që mund të shtojnë rrezikun për epidemi te njeriu apo për një pandemi të mundshme.
OBSH i fton të gjitha shtetet të shtojnë mbikëqyrjen dhe raportimin e gripit te shpendët dhe te njeriu, si dhe t'i ndajnë kampionet e viruseve të gripit me qendrat që bashkëpunojnë me OBSH-në. Sipas Ghebreyesus, në këtë fazë është e nevojshme të ndahen sekuencat gjenetike të viruseve të gripit të njeriut dhe kafshëve në baza të dhënash të aksesueshme nga publiku dhe më pas, të ofrohet mbrojtje për ata që kanë kontakt të afërt me kafshë të infektuara dhe të shtohen studimet mbi gripin e shpendëve.