tet222024
Dermatiti atopik dhe shëndeti mendor. Nevojitet më shumë mbështetje psikologjike
Dermatiti atopik nuk është vetëm një sëmundje e lëkurës, por është një gjendje që mund të rrisë rrezikun për depresion, ankth dhe probleme të tjera të shëndetit mendor. Megjithatë, shumë pacientë të prekur nga kjo gjendje nuk marrin mbështetjen e nevojshme psikologjike. Këto janë përfundimet e një studimi të zhvilluar nga Shoqata Kombëtare e Ekzemës (NEA), në të cilin u zbulua se 42% e pacientëve me dermatit atopik dhe kujdestarëve të fëmijëve dhe adoleshentëve me këtë patologji nuk kanë folur kurrë me mjekët e tyre ose ofruesit e kujdesit shëndetësor në lidhje me shëndetin mendor. Për më tepër, 50% e pacientëve nuk u janë pyetur asnjëherë drejtpërdrejt për gjendjen e tyre shpirtërore gjatë vizitave mjekësore.
Dermatiti atopik mund të shkaktojë ndjenja turpi ose sikleti, të cilat përkeqësohen edhe më shumë nga problemet e gjumit për shkak të kruajtjes. Këta faktorë mund të kontribuojnë në përkeqësimin e shëndetit mendor, duke krijuar një rreth vicioz. Aktualisht, mbështetja psikologjike nuk është pjesë e trajtimit standard për ekzemën, i cili zakonisht përfshin pomada topike, medikamente sistemike dhe strategji të vetë-kujdesit.
Sidoqoftë, ekspertët bien dakord se është e rëndësishme që të përfshihet edhe shëndeti mendor në menaxhimin e dermatitit atopik. Pavarësisht nevojës për mbështetje psikologjike, 64% e të rriturve dhe kujdestarëve të pacientëve të rinj pjesëmarrës në studim nuk iu referuan psikologëve apo institucioneve të shëndetit mendor nga mjekët e tyre. Ndër ata që morën konsulencë, burimet më të zakonshme ishin këshillimi (23%), terapia konjitive e sjelljes (13%) dhe grupet e mbështetjes sociale (12%). Ky studim nxjerr në pah rëndësinë e një qasjeje të integruar në trajtimin e dermatitit atopik, ku shëndeti mendor të trajtohet me të njëjtën rëndësi si shëndeti fizik.
"Ekziston një komponent i madh psikologjik që lidhet me dermatitin atopik, i cili shpesh nuk trajtohet. Kur lëkura ka probleme, pacienti ka ndjesinë e kruarjes, nuk ndihet rehat dhe i vjen turp nga pamja e tij, të gjitha këto mund të bëjnë cilindo të ndihet shumë i sëmurë, të përjetoj stres dhe ankth. Dihet këto dy kushte ndikojnë në shtimin e inflamacionit dhe përkeqësojnë kushtet e lëkurës", shpjegon bashkautori Peter Lio nga Universiteti Northwestern në Çikago.
"Të dhënat tona tregojnë qartë se shumë individë, edhe me forma të lehta të sëmundjes përballen me probleme të shëndetit mendor. Padyshim që ekziston mundësia për të folur për shëndetin mendor krahas trajtimit të lëkurës në një mënyrë më holistike", thotë autorja kryesore e studimit Wendy Smith Begolka.
Ky studim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të diskutimeve rreth shëndetit mendor brenda komunitetit të pacientëve me ekzemë. Autorët e studimit u bëjnë thirrje mjekëve, pacientëve dhe kujdestarëve që të flasin hapur në lidhje me mënyrën se si dermatiti atopik ndikon në jetën e pacientëve.
"Nëse mendoni se diçka nuk është në rregull, përpiquni të gjeni forcën dhe ngushëllimin për të folur me mjekun tuaj për të, në mënyrë që të mund ta trajtoni situatën", përfundon Begolka.