Mjekësi e përgjithshme

sht52015

Mungesa e gjumit rrit ndjeshmërinë ndaj viruseve të të ftohtit

tags: Virus

Personat që flenë 6 ose më pak orë gjumë gjatë natës, kanë 4 herë më shumë mundësi për të marrë viruse sesa personat që flenë 7 orë apo më shumë. Sipas shkencëtarëve ata që flenë shumë pak janë më të predispozuar për të marrë të ftohtin.
Rezultatet e studimit të publikuara në revistën Sleep, bazuar në studimet e mëparshme sugjerojnë se personat e privuar ndaj gjumit janë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve infektive dhe shërohen më ngadalë kur sëmuren.
"Pagjumësia jep efekte përtej ndjesisë sikur je i dehur apo nervozizmit", tha Aric Prather psikolog në University of California në San Francisco. "Duke mos fjetur mjaftueshëm ndikoni në shëndetin tuaj fizik".
Shkencëtarët për studimin rekrutuan 94 meshkuj dhe 70 femra me një moshë mesatare 30 vjeçare të cilët iu nënshtruan ekzaminimeve shëndetësore, intervistave dhe pyetësorëve për dy muaj për të përcaktuar bazën e nivelit të stresit, temperamentin dhe përdorimin e alkoolit dhe cigares. Vullnetarët kaluan një javë me sensorin e gjumit të vendosur në kyçin e dorës, i cili ndiqte kohëzgjatjen dhe cilësinë e gjumit të tyre çdo natë.
Për të parë sa rezistentë ishin ndaj infeksioneve, pjesëmarrësit u dërguan në një hotel dhe në hundë iu hodhën pika që përmbanin virusin e të ftohtit. Doktorët monitoruan personat me kujdes për një javë pas hedhjes së pikave duke mbledhur kampionë mukoze për të parë nëse dhe kur do të shfaqej virusi i marrë.
Studiuesit zbuluan se sa më pak të flinin personat aq më të predispozuar ishin për t'u ftohur. Ata që flinin më pak se 6 orë në natë ishin 4.2 herë më të predispozuar për të qenë viktimë e virusit se sa personat që flinin më shumë se 7 orë. Ata që flinin më pak se 5 orë gjumë ishin 4.5 herë më shumë të rrezikuar.
Prather pohoi se kur bëhej fjalë për mbrojtjen kundër virusit të të ftohtit, gjumi ishte më i rëndësishëm se çdo faktor tjetër që ata kishin shqyrtuar si: nivelet e stresit, mosha, edukimi, të ardhurat apo duhanpirja. "Me të gjithë faktorët e marrë në konsideratë, statistikisht gjumi mbetet akoma një parashikues i jashtëzakonshëm dhe i fuqishëm për ndjeshmërinë ndaj virusit të të ftohtit".
Ai shton se janë të nevojshme studime të mëtejshme rreth gjumit dhe shëndetit, për të tejçuar kudo mesazhin se gjumi është jetësor për mirëqenien, veçanërisht në një kulturë ku njerëzit krenohen se nuk duhet të flenë shumë dhe duhet të punojnë deri natën vonë.
Studimi i fundit nuk mund të thotë me saktësi se mungesa e gjumit i bën njerëzit më të ndjeshëm ndaj viruseve. Mund të jetë një tjetër faktor që i bën personat më të predispozuar për t'u ftohur dhe që gjithashtu prish gjumin e tyre. "Nëse ndërhyrjet në gjumë synojnë rritjen e kohëzgjatjes së tij, mbrojtja e individëve nga të ftohtit mbetet akoma një çështje e hapur, - shkruajnë autorët.
Derk-Jan Dijk profesor i psikologjisë së gjumit në University of Surrey, shprehet se kufizimi i gjumit ka treguar se ndikon në sistemin imunitar. "Besohet se ekziston një lidhje jo rastësore, - tha ai. "Studimi nuk është përfundimtar, por ndihmon në shtimin e provave që tregojnë për rëndësinë që ka kohëzgjatja e gjumit për të qëndruar të shëndetshëm.

Përktheu: Erjola Taga


 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>