nën182015
Retinopatia diabetike, injeksionet intravitreale të ranibizumab efikase për mprehtësinë e shikimit
Ndër pacientët me retinopati diabetike proliferale, trajtimi me injeksione intravitreale me ranibizumab ka efekt mbi mprehtësinë vizive jo inferiore ndaj fotokoagulimit panretinal, kjo sipas një studimi të publikuar në "Jama" dhe të prezantuar në Kongresin vjetor të "American Academy of Ophthalmology". Retinopatia diabetike proliferale është ndër shkaqet kryesore të humbjes së shikimit te pacientët me diabet melit dhe fotokoagulimi lazer panretinal është trajtimi standard për reduktimin e uljes progresive të shikimit. Megjithatë fotokoagulimi jo vetëm mund të shkaktojë humbje të përhershme të shikimit në fushën vizive periferike dhe një reduktim të shikimit gjatë natës, por mund të përkeqësojë edemën makulare diabetike me një zvogëlim të mëtejshëm të cilësisë së shikimit. "Për këtë do të nevojiteshin kura alternative me më pak efekte anësore", shprehet Adam Glassman nga "Jaeb Center for Health Research" në Florida dhe bashkautor me "Writing Committee for the Diabetic Retinopathy Clinical Research Network", të një studimi të zhvilluar në 55 qendra amerikane, në të cilët kanë marrë pjesë 305 të rritur me retinopati diabetike proliferale mono ose biokulare për një total prej 394 sysh, të zgjedhur në mënyrë rastësore ndaj trajtimit me fotokoagulim lazer panretinal ose injeksion intravenoz të barit anti-VEGF ranibizumab.
Pas përllogaritjeve kërkuesit kanë zbuluar se ranibizumab nuk është inferior për sa i përket mprehtësisë së shikimit për 2 vjet, krahasuar me grupin e fotokagulimit lazer panretinal. "Përdorimi i këtyre anti-VEGF në trajtimin e kombinuar të pacientëve me retinopati diabetike, në veçanti atë të komplikuar me edemë makulare diabetike, përfaqëson një etapë thelbësore në kurën e kësaj sëmundjeje okulare, të rënduar nga rritja graduale e edemës makulare", vazhdojnë autorët. Në një editorial Timothy Olsen nga "Emory University" në Atlanta shkruan: "Edhe nëse anti-VEGF duket se janë efikasë te pacientët me retinopati diabetike proliferale me risk të lartë, është mirë të rikujtojmë se fotokoagulimi lazer panretinal vazhdon të mbetet kura standarde. Rezultatet e këtij studimi mundësojnë prova të reja në mbështetje të anti-VEGF si terapi alternative të retinopatisë diabetike proliferale".
Jama. 2015. doi: 10.1001/jama.2015.15217
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26565927
Jama. 2015. doi: 10.1001/jama.2015.15409
http://jama.jamanetwork.com/article.aspx?articleid=2469890
Përktheu : Erjola Taga