dhj132017
Pneumonia, katër simptoma që i nevojiten mjekut të familjes për diagnozën
Temperaturë, takikardi, frymëmarrje e zhurmshme, furnizim i ulët me oksigjen. Këto janë katër simptomat që mund t'i ndihmojnë mjekët e familjes të identifikojnë rastet me pneumoni, sipas një studimi perspektiv kohorte, publikuar në "European Respiratory Journal".
"Të katër këta variabla janë lehtësisht të matshëm", shprehet Michael Moore, në Universitetin e Southampton-it, në Mbretërinë e Bashkuar, autor kryesor i artikullit, duke nënvizuar se, nëse subjektet do të kishin vetëm një ose më shumë nga këto shenja, do të reduktohej në mënyrë të dukshme përshkrimi i antibiotikëve për pneumoninë.
Për të arritur në përfundimet e tyre, autorët e studimit kanë vëzhguar gjatë periudhës 2009-2013, 28.883 pacientë që ishin paraqitur te mjeku i tyre i familjes duke u ankuar për kollë akute të lidhur me një infeksion të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes. «Mes 720 pacientëve që iu nënshtruan radiografisë së gjoksit gjatë javës që pasoi vizitën e parë, 16 % e tyre kishin një pneumoni të dukshme, ose dyshime për një të tillë", shkruajnë kërkuesit, që duke analizuar kartelat klinike kanë identifikuar shenja specifike që tregojnë mundësinë e një pneumonie, dyshime që janë konfirmuar nga radiografia: temperaturë 37,8 °C ose më shumë, rrahje të zemrës 100 në minutë ose më shumë, frymëmarrje të zhurmshme, ose furnizim të ulët me oksigjen, më pak se 95%.
Në tërësi, 86,1% e pacientëve me pneumoni, kishin të paktën një nga këto shenja klinike, ndërkohë që, faktorët e tjerë, siç janë: simptomat fillestare, mosha, gjinia, historiku i duhanpirjes dhe historiku i mëparshëm mjekësor, nuk janë rezultate parashikuese në kuptimin e diagnostikimit. Autorët, megjithatë, nënvizojnë disa kufizime të studimit. Para së gjithash, faktin që radiografitë e gjoksit janë bërë vetëm nga një pjesë e vogël e të vëzhguarve, nga pacientët me simptoma të rënda dhe që konsideroheshin të rrezikuar nga pneumonia.
"Kjo mund ta ketë bërë më të theksuar rëndësinë e katër shenjave klinike si parashikuese të pneumonisë", thotë Moore. "Duke patur parasysh këtë kufizim, ndonëse matja e pulsit dhe e oksigjenit në gjak mund të ketë një rol në diagnostikimin e pneumonisë, do të jenë të nevojshme studime të tjera konfirmimi".
European Respiratory Journal 2017. Doi: 10.1183/13993003.00434-2017 http://erj.ersjournals.com/content/50/5/1700434