Mjekësi e përgjithshme

gus82024

Olimpiada. Ja, rreziqet shëndetësore për atletët nga Sena

Pas sportistes belge Claire Michel dhe një triatleti zviceran, ka rezultuar se edhe një atlet i tretë ka zhvilluar simptoma të gastroenteritit, pas garës të së mërkurës së shkuar në Senë. Infeksionistët paralajmërojnë se po ndiqen edhe rastet e atletëve që janë sëmurur pas notimit në Senë dhe mund të mos jenë të vetmit. "Pavarësisht përpjekjeve të administratës franceze dhe Komitetit Olimpik për ta bërë Senën të notueshme, me qëllim  që të lejohen garat në të, rreziqet shëndetësore të atletëve të Olimpiadës 2024 të lidhura me ndotjen e Senës nuk mund të eliminohen plotësisht. Escheria Coli është një hipotezë, por nuk është e thënë që të jetë pikërisht ajo që ka shkaktuar gastroenteritin, duke i detyruar atletët të tërhiqen", thotë Shoqata Italiane e Mjekësisë Mjedisore (SIMA).

Shkaqet
"Escheria Coli është një tregues i kontaminimit fekal. Nëse E. Coli është i pranishëm në ujë, ka mundësi që të jenë edhe mikrobe të tjera, qoftë baktere si salmonela, qoftë viruse. Ekzaminimi i fekaleve do të qartësojë se për çfarë bëhet fjalë", tha për ANSA kreu i Parandalimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Gianni Rezza.  Escheria Coli është një bakter, i cili është pjesë e florës intestinale të njeriut. Pjesa më e madhe e shtameve nuk janë të dëmshme, por ka disa që mund të shkaktojnë sëmundje intestinale ose ekstraintestinale. Ekziston një bakter si salmonela, i cili përbën një nga shkaqet më të shpeshta të helmimeve ushqimore. Baktere të tjera që mund të jenë përgjegjëse për gastroenteritetet janë ato që i përkasin Kampilobakterit ose Clostridium difficile. Infeksioni në këto raste transmetohet përmes konsumit të ushqimeve ose pijeve të kontaminuara. Gëlltitja e ujit, në të cilin gjenden patogjene, është një tjetër mënyrë infektimi. Përveç baktereve, në ujë mund të jenë të pranishme edhe shumë lloje virusesh, si: enteroviruset, noroviruset, rotaviruset. "Këto infeksione shkaktojnë kryesisht simptoma gastrointestinale, si: dhimbje abdominale, të vjella, diarre dhe me raste, temperaturë. Rrallë mund të konstatohen infektime të organeve.  Pasi merren nëpërmjet rrugës orale fekale (ujë ose ushqim i kontaminuar), është mirë të respektohet higjiena personale për të shmangur transmetimin e infeksionit te të tjerët", shpjegon Rezza.

Sipas virologut Fabrizio Pregliasco, siç ndodh gjithmonë për infeksionet orofekale, rreziku nuk varet aq nga kohëzgjatja e ekspozimit, sesa nga përqendrimi. Nga sondazhet epidemiologjike e kryera për shembull pas një dasme, apo një ngjarjeje tjetër bashkëjetese, gjatë së cilës është shërbyer ushqim i kontaminuar me E. Coli ose salmonelë, jo të gjithë pjesëmarrësit në banket sëmuren: ndoshta 2 ose 3 përfundojnë në spital, 10 kanë simptoma intestinale dhe të tjerët janë mirë. Kjo ndodh pasi është çështje e përqendrimit bakterial dhe jo e imunitetit të individit.

Nuk ka vetëm gastroenterite
"Mund të verifikohen edhe infeksione të lëkurës dhe të syve nga kontakti me ujin e kontaminuar, të cilat pasohen nga shpërthime kutane dhe infeksione okulare. Një tjetër rrezik i konsiderueshëm është leptospiroza, sëmundje e shkaktuar nga bakteret e pranishme në urinën e kafshëve, si minjtë. Simptomat përfshijnë temperaturën e lartë, dhimbjen e kokës dhe dhimbjet muskulore. Gjithashtu, duhet të merren parasysh edhe ekspozimet ndaj ndotësve kimikë të pranishëm në ujërat e lumenjve, si metalet e rënda, pesticidet ose substanca të tjera, efektet e dëmshme të së cilëve në shëndet nuk janë të menjëhershme, por zgjasin për një kohë të gjatë", përfundon presidenti i SIMA, Alessandro Miani.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>