shk282023
Në thelb të problemeve me nxehtësinë trupore, mund të qëndrojë glicemia
Rritja e temperaturës së trupit dhe rrahjeve të zemrës gjatë aktivitetit fizik të kryer në nxehtësi te burrat me diabet të tipit 2 (DM2) fizikisht aktivë, mund të ndodhë për shkak të kontrollit të dobët të glicemisë, sipas një studimi të botuar në "Experimental Physiology".
"Njerëzit me DM2 mund të kenë një aftësi të reduktuar për të humbur nxehtësinë e trupit, shkaku i së cilës ende nuk është kuptuar mirë. Ky problem po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm pasi shumë vende në mbarë botën përjetojnë ekstreme më të shpeshta dhe më të gjata të temperaturës, si dhe temperatura mesatare më të nxehta gjatë verës, siç janë valët globale të të nxehtit të vërejtura në vitin 2022", shpjegon bashkautori Glen Kenny nga Universiteti i Otavës në Kanada, i cili bashkë me kolegët hetuan nëse kontrolli i glicemisë mund të ndryshojë aftësinë e trupit për të shpërndarë nxehtësinë gjatë stërvitjes fizike të kryer në nxehtësi.
"Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se plakja lidhet me një reduktim të aftësisë së trupit për të shpërndarë nxehtësinë, më e theksuar te individët me DM2. Megjithatë, roli i kontrollit afatgjatë të glicemisë vazhdon të jetë i paqartë", shkruajnë studiuesit, të cilët ekzaminuan 26 burra fizikisht aktivë 43-73 vjeç që ishin diagnostikuar me DM2 prej 5 vitesh ose më shumë, të cilët iu nënshtruan një testi ushtrimesh që përfshinte pedalimin me kalorimetrin e vendosur në 40°C. Pas 30 minutash qëndrimi ulur në pushim, pjesëmarrësit përfunduan tre seanca 30-minutëshe çiklizmi me intensitet të lehtë, të moderuar dhe të fuqishëm, me një periudhë pushimi 15-minutëshe ndërmjet seancave.
"Edhe pse, kontrolli jooptimal i glicemisë nuk duket se komprometon humbjen e nxehtësisë së trupit, lidhja e hiperglicemisë së vazhdueshme, e vlerësuar nga hemoglobina e glikuar (HbA1c), me hiperterminë dhe takikardinë mund të përcaktojë një rol termorregullues të luajtur nga kontrolli i glicemisë që nuk duket se lidhet me aftësinë fizike të pjesëmarrësve", shpjegon Kenny.
"Këto rezultate sugjerojnë se, kontrolli i dobët i glicemisë te njerëzit me DM2, mund të rrisë rrezikun për rritjen e temperaturës së trupit dhe rritjen e tendosjes së zemrës gjatë kryerjes së aktivitetit fizik në nxehtësi", përfundojnë autorët.
Experimental Physiology 2023. Doi: 10.1113/EP090915
https://doi.org/10.1113/EP090915