qer142023
Glicemia e paqëndrueshme mund të shkaktojë sëmundje kardiovaskulare
Ndryshimet e glicemisë të ekstrapoluara nga ndryshueshmëria e hemoglobinës së glikuar (HbA1c), lidhen drejtpërdrejt me rrezikun kardiovaskular te diabetikët, veçanërisht te pacientët me diabet të tipit 1 në krahasim me ata me diabet të tipit 2. Këto janë përfundimet e metaanalizës së parë që ka eksploruarmarrëdhënien midis ndryshueshmërisë së HbA1c dhe rrezikut për sëmundje kardiovaskulare, të publikuara në "Journal of Diabetes" nga Feng Li nga Universiteti Mjekësor Nanjing në Kinë.
"Ndryshueshmëria e HbA1c, një parametër kyç i luhatjes së glukozës, mund të ndikohet nga disa faktorë patofiziologjikë, duke përfshirë moshën, përkatësinë etnike, praninë e anemisë, insuficiencën renale kronike, shtatzëninë dhe marrjen e medikamenteve. E cila, ndër të tjera, ndodh për shkak të ndryshimeve në jetëgjatësinë e eritrociteve dhe ndryshimit të shkallës së glikozilimit të hemoglobinës", tregon studiuesi, duke shtuar se deri më tani lidhja midis luhatjes së glukozës dhe rrezikut kardiovaskular te diabetikët vazhdon të jetë e paqartë.
Për të vlerësuar luhatjen e glukozës u përdorën indekse të shumëfishta të ndryshueshmërisë së HbA1c bazuar në matjen e HbA1c, duke përfshirë koeficientin e variacionit të HbA1c (HbA1c-CV) dhe rezultatin e ndryshueshmërisë së HbA1c (HVS). Rezultatet e marra treguan se ndryshueshmëria e HbA1c mund të lidhet me zhvillimin dhe përparimin e sëmundjeve kardiovaskulare (CVD). Për të eksploruar më tej mbi këtë temë, studiuesit kryen një metaanalizë për një total prej katër databazash online, përkatësisht PubMed, Cochrane Library, Web of Science dhe Embase, duke pasur si synim eksplorimin e marrëdhënies midis ndryshueshmërisë së HbA1c dhe rrezikut për CVD. Për të kontrolluar për faktorët e mundshëm ngatërrues u krye edhe një analizë nëngrupi.
"Në fund të kërkimit të literaturës, 14 studime u pranuan për 254,017 diabetikë gjithsej dhe analiza e të dhënave tregoi se ndryshueshmëria më e madhe e HbA1c lidhet ndjeshëm me një rrezik në rritje për CVD", shkruajnë autorët, duke vënë në dukje se korrelacioni pozitiv ishte më i dukshëm në mesin e pacientëve me diabet tip 1 sesa tek ata me diabet të tipit 2.
"Studimi ynë sugjeron se luhatja më e madhe e glukozës lidhet ndjeshëm me rrezikun më të lartë për CVD te pacientët diabetikë bazuar në ndryshueshmërinë e HbA1c", përfundon Li.
Journal of Diabetes 2023. Doi: 10.1111/1753-0407.13386
http://doi.org/10.1111/1753-0407.13386