dhj202017
Tumori i prostatës. Treguesi i shëndetit prostatik eviton biopsitë e kota
Njohja e treguesit të shëndetit prostatik (PHI-prostate health index) u shërben dukshëm urologëve për të vendosur nëse duhet t'i nënshtrohet apo jo biopsisë së prostatës një burrë me rezultate të caktuara në ekzaminimin e antigjenit prostatik specifik (PSA). Ky është përfundimi i një studimi të ri, të publikuar në "Prostate Cancer and Prostatic Diseases".
Testi PHI, i autorizuar nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave në vitin 2012, kombinon rezultatet e tre imunodozimeve: PSA totale, PSA e lirë dhe p2PSA, në një rezultat të vetëm numerik. «Në studimin tonë, përdorimi i testit ka ndikuar në 73% të rasteve në planin menaxhues të mjekut dhe, më së shumti, në evitimin e një biopsie», konfirmon Jay White, në Kalorinën e Veriut, autor kryesor i studimit. Kërkuesit kanë vënë përballë 506 burra që u regjistruan në mënyrë perspektive dhe që kanë bërë testin PHI dhe 683 pacientë kontrolli, nga një studim kohorte historik, që nuk e kanë bërë testin PHI.
Pjesëmarrësit e zgjedhur në mënyrë perspektive dhe pacientët e kontrollit vinin nga katër grupe të mëdha urologjike (në Karolinën e Veriut, Merilend, Kolorado dhe Teksas) dhe u ndoqën nga të njëjtët mjekë. Burrat që bënë testin PHI, kanë zhvilluar një numër dukshëm më të ulët të procedurave bioptike, në krahasim me grupin e kontrollit (36,4 % përkundër 60.3 %). «Mjekët ishin më pak të prirur për të bërë biopsi te pacientët që e kishin më të ulët nivelin e PHI-së", nënvizon White.
Të gjithë burrat që morën pjesë në studim ishin 50 apo më shumë vjeç dhe u ishin nënshtruar ekzaminimeve dixhitale, rezultatet e të cilave nuk kishin ngjallur asnjë dyshim. Vlerat e PSA-së te pacientët varionin nga 4-10 ng/mL dhe studime të tjera kishin demonstruar se burrat me vlera të PSA-së në këtë interval, paraqesin vetëm 30-35% mundësi pozitive për kancer. Pikërisht kjo specifikë e ulët diagnostikimi është një nga problemet kryesore që lidhen me testin PSA. Për pasojë, 65-70% e burrave që i janë nënshtruar testit (rezultati i të cilit gjendet në intervalin e cituar më lart), kanë bërë më tej biopsi të panevojshme dhe janë ekspozuar ndaj ndërlikimeve, si dhimbje dhe infeksion, pa folur këtu për kostot e larta. Në 28,3% të rasteve, gjithashtu, mjeku ka deklaruar se njohja e vlerave të PHI-së ka ndihmuar edhe në lehtësimin e ankthit të pacientit.
Prostate Cancer Prostatic Dis. 2017. Doi: 10.1038/s41391-017-0008-7 https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29158509