Mjekësi e përgjithshme

maj102024

Dieta bimore mund të ulë rrezikun për përparim të kancerit të prostatës

Efikasiteti i dietave vegjetariane te pacientët e diagnostikuar me kancer prostate jo metastatik është analizuar në një studim të kryer nga June Chan, në Universitetin e Kalifornisë. Rezultatet tregojnë një lidhje të dukshme midis indeksit të lartë dietik të bazuar në ushqime bimore (PDI) dhe një probabiliteti më të ulët për përparim të kësaj sëmundjeje.

Në këtë studim, të publikuar në JAMA Network Open, u përfshinë 2062 meshkuj të diagnostikuar me kancer prostate jo metastatik dhe u evidentua se pjesëmarrësit me PDI më të lartë,  shfaqnin rrezik pothuajse të përgjysmuar (47% reduktim) për përparim të kancerit, krahasuar me ata që kishin indeks të ulët. Mbetet për t'u theksuar se PDI përfshin ushqimet bimore të shëndetshme dhe ato më pak të shëndetshme, duke sugjeruar se një rritje e përgjithshme e konsumit të tyre mund të sjellë përfitime.

Metodologjia e studimit konsistonte në grumbullimin e të dhënave përmes një pyetësori mbi shpeshtësinë e të ushqyerit, duke llogaritur PDI të bazuar në konsumin e 18 grupeve ushqimesh. Autorët kanë marrë në konsideratë edhe faktorë të tjerë si mosha, stadi i tumorit në momentin e diagnostikimit dhe trajtimet e marra.

Një nga kufizimet kryesore të sinjalizuara në studim është përfshirja e numrit relativisht të ulët të vdekjeve nga kanceri i prostatës, i cili mund të ndikojë në interpretimin e efekteve të dietave mbi rezultatet afatgjata. Megjithatë, rezultatet mbështesin futjen e vlerësimit të ushqyerjes dhe të këshillimit dietik në planet e trajtimit të pacientëve, duke nxitur praktika ushqyerjeje të shëndetshme në mbështetje të shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme.

"Konsumi i një diete kryesisht bimore, mund të sjellë rezultate më të mira për kancerin e prostatës te meshkujt me këtë diagnozë", përfundon Chan.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>