mar292018
Te pacientët obezë, vdekshmëria është më e ulët me kirurgji bariatrike sesa me trajtim mjekësor
Te pacientët obezë, kirurgjia bariatrike me fashë laparoskopike, bypass gastrik ose gastrektomi vertikale të pjesshme (gastrektomi në formë mënge) është e lidhur (krahasuar me trajtimet e zakonshme jokirurgjikale), me një normë më të ulët të vdekshmërisë për të gjitha shkaqet.
"Kirurgjia bariatrike është një qasje efektive dhe e sigurt për humbjen në peshë dhe për përmirësimin në një kohë të shkurtër të çrregullimeve metabolike, përfshirë diabetin. Megjithatë, shumica e studimeve të kryera në të kaluarën kishin kufizimet e tyre, mes të cilave qëndronte mungesa e një grupi që nuk kishte bërë kirurgji, braktisjet gjatë ndjekjes, të dhënat e munguara dhe rastet e kufizuara", shprehet Orna Reges (Instituti i Kërkimeve Clalit në Tel Aviv), në një artikull të publikuar kohët e fundit në "JAMA", në të cilin studiuesit i krahasuan 3 llojet më të zakonshme të kirurgjisë bariatrike me terapitë e zakonshme mjekësore në lidhje me vdekshmërinë dhe rezultatet e tjera klinike, në një grup pacientësh obezë.
"Ky studim retrospektiv është kryer duke analizuar të dhënat nga një fond i madh shëndetësor që asiston 54% të qytetarëve izraelitë", shkruajnë autorët, duke shtuar se pacientët obezë që i janë nënshtruar kirurgjisë bariatrike në periudhën janar 2005-dhjetor 2014, janë krahasuar me subjektet e paoperuara, përshtatur për moshë, gjini, indeksin e masës trupore (IMT) dhe praninë ose mungesën e diabetit, që i janë nënshtruar një ndjekjeje klinike deri në dhjetor 2015. Në këtë studim kanë marrë pjesë 33,540 pacientë, 8385 prej të cilëve iu nënshtruan operacionit. E dhëna kryesore që doli dhe u studiua ishte vdekja për të gjitha shkaqet, që është krahasuar duke u përshtatur për IMT para operacionit, moshë, gjini, status socioekonomik, diabet, hyperlipidemi, hipertension, sëmundje kardiovaskulare dhe duhanpirje.
"Gjatë një ndjekjeje mesatare prej 4.5 vjetësh, ka pasur 105 vdekje në mesin e pacientëve kirurgjikalë, në krahasim me 583 vdekje mes atyre që nuk i ishin nënshtruar operacionit. Norma e vdekshmërisë për çdo lloj shkaku, ka qenë në mënyrë të konsiderueshme më e ulët në grupin e obezëve të operuar, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre, që e menaxhonin obezitetin në mënyrën e zakonshme. "Këto rezultate në lidhje me vdekshmërinë, iu shtohen studimeve që tregojnë efektivitetin e kirurgjisë bariatrike në krahasim me terapinë mjekësore në menaxhimin e obezitetit", përfundon Regesi.
JAMA. 2018. doi:10.1001/jama.2017.20513
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2669726?redirect=true